Tregu i kriptovalutave në Shqipëri do t’i nënshtrohet një sërë rregullimesh në aspektin ligjor.Qeveria ka hedhur për konsultim projektligjin për Tregjet e Kripto-Asseteve një dokument që synon të krijojë një kornizë rregullatore për tregtimin dhe përdorimin e kripto-aseteve (si Bitcoin, Ethereum dhe monedha të tjera digjitale). Ky ligj ka për qëllim të rregullojë këtë sektor që ka pasur rritje të shpejtë dhe të krijojë kushte për zhvillimin e sigurt të tregut të kripto-aseteve, duke u siguruar që të mbrohen konsumatorët dhe të shmangen aktivitetet e paligjshme si pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit.
Ky draft ka si qëllim të rregullojë subjektet dhe veprimtaritë që lidhen me emetimin e kripto-aseteve dhe tokenave të parasë elektronike si dhe veprimtaritë e ndërmjetësimit të kripto-aseteve të tilla si operimi i një platforme tregtie.
Kërkesat rregullatore ndaj këtyre subjekteve përfshijnë mbajtjen e një kapitali minimal, konfliktin e interesit, sigurinë kibernetike dhe operacionale, masa për mbrojtjen e konsumatorit dhe parandalimin e abuzimit me tregun, si dhe zbatimin e politikave për parandalimin e pastrimit të parave
Në të njëjtën kohë, projektligji synon garantimin e standardeve më të larta të mbrojtjes së investitorëve dhe integritetit të tregut.
Projektligji “Për tregjet e kripto-aseteve” synon të vendosë një arkitekturë të unifikuar rregullatore që i përgjigjet drejtpërdrejt kanaleve kryesore të rrezikut në këtë treg: rrezikun ndaj stabilitetit financiar dhe funksionimit të sistemeve të pagesave; rrezikun e integritetit të tregut; asimetrinë e informacionit dhe mbrojtjen e klientit; ekspozimin ndaj pastrimit të parave; rrezikun e tregtimit sekondar dhe të likuiditetit;
Të gjitha entitetet që ofrojnë shërbime të lidhura me kripto-asetet (si shkëmbim, mbajtje ose këmbim monedhash) duhet të licencohen nga autoritetet kompetente, të tilla si Banka e Shqipërisë ose një agjenci tjetër e autorizuar.
Ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve duhet të respektojnë rregullat për anti-pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, duke përfshirë kërkesat për verifikimin e identitetit të klientëve. Ligji aktual i vitit 2020 nuk arriti të krijonte një treg të rregulluar, pasi asnjë kompani nuk u licencua.

