Krimi zgjedhor në 2017 në Shijak, nis gjyqi për 19 komisionerë dhe 2 votues (EMRAT)

schedule19:56 - 7 Prill, 2021

schedule 19:56 - 7 Prill, 2021

Nga Leonidha Musai

Ka nisur në gjykatën e Durrësit procesi i gjykimit te  dosjes për manipulime në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 në zonën e Shijakut. Për gjykim nga prokuroria janë dërguar 19 komisionerë dhe 2 votues të akuzuar për krim zgjedhor. Hetimi i cili u zhvillua fillimisht nga SPAK është një fragment i “Dosjes 339”, e cila u bë e njohur pasi një sërë përgjimesh brenda saj lidhën funksionarë të lartë të Partisë Socialiste me një grup të dyshuar për trafik narkotikësh, të përfshirë në fushatën elektorale dhe blerje e frikësim votuesish.

Ai bazohet mbi procedimin për veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”, dhe iu dërgua nga SPAK për kompetencë në Prokurorinë e Durrësit më 6 gusht të vitit 2020. Hetimi zbuloi se komisionerët e qendrave të votimit në fshatrat e Shijakut kishin lejuar votimin nga disa persona në emër të zgjedhësve që ndodheshin jashtë vendit, duke vulosur fletët e votimit në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.

Hetimi zbuloi 52 vota të tilla në tre qendra votimi, ndërsa për gjykim u dërguan komisionerët, Shpëtim Stafa, Elidon Stafa, Ramiz Tuda, Fredi Marku, Dalvis Biba, Emilian Tuda,  Redi Hysa, Indrit Bici, Mehdi Lala, Agim Lala, Oriada Lala, Bujar Sula dhe Qazim Lala, Bashkim Allushi, Jakup Bregu, Altin Lala, Kujtim Uruçi, Zyhra Lala dhe Qemal Domi. Prokuroria i akuzon ata për “Votim më shumë se një herë ose pa u identifikuar”, e cila dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Prokuroria po ashtu akuzon Shpëtim Markun, banor i lagjes Xhafzotaj, Shijak, se gjatë votimeve për zgjedhjet e përgjithshme të datës 25 qershor 2017 pasi kishte votuar vetë ka shkuar përsëri në qendrën e votimit dhe ka votuar në emër të babait të tij, ndërkohë që ky i fundit ndodhej jashtë shtetit. Ai po ashtu akuzohet për “votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”.

Ndërsa zgjedhësi Armelin Zeza akuzohet se ka votuar në emër të 25 personave të tjerë që ndodheshin jashtë shtetit, “me qëllim ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve” sipas Prokurorisë Durrës. Ai akuzohet “Falsifikim të materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve”, e cila dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet dhe “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”.

Ndërkohë për dy komisionerët Kasem Lala dhe Besim Bregu të cilët kishin ndërruar jetë në vitin 2018, prokuroria i kërkoi gjykatës pushimin e hetimit./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!