Gazetari investigativ, Artan Hoxha i ftuar në studion e “Abc Live” në Abc me gazetaren Sibora Bitri, deklaroi se grupet e krimit të organizuar shqiptar kanë investuar në Dubai rreth 1 miliard dollarë.
Një nga pyetjet që bënin, sipas gazetarit, ishte se çfarë do bëhet me amnistinë fiskale sepse nuk duan që t’i lënë ato para aty.
Hoxha: Një gjë që më bëri përshtypje ishte se nuk punonin me karta, por me cash. Kjo do të thotë që askush nuk do t’ia dijë se nga i ke gjetur këto para. Zakonisht krimi i organizuar nuk mban para në bankë. Me atë fuqi që kanë ata atje blejnë jo zgjedhjet lokale që kemi ne këtu…Shqipëria sot, kupolën drejtuese të krimit të organizuar nuk e ka më në Shqipëri. Të gjithë ata që janë në nivele që i njohim, i kemi në kërkim, s’i njohim fare dhe mund të mos i njohim kurrë, janë në Dubai. Ata kanë investuar në Shqipëri dhe kanë lidhje shumë të fuqishme këtu.
Vendi ynë nuk ka marrëveshje ekstradimi me Dubain dhe sipas gazetarit është pothuajse e pamundur që të arrihet.
Hoxha: Për sa kohë që Dubai do të funksionojë me këtë mënyrë, ne kemi shanse zero për t’i goditur grupet që ndodhen aty. Perspektiva ishte jo optimiste dhe informacioni që ishte aty ishte i nivelit sipëror. Atje mund të merrje vesh jo vetëm për ngjarjet në ndodhin në Shqipëri, por edhe për ngjarjet që do të ndodhin./Abcnews.al/