Arrestohet autori i ngjarjes së rëndë në Lushnje.
Rreth orës 21:20, shtetasi 45 vjeç, dyshohet se ka goditur me një send metalik prerës, sqepar, nënën e tij, 80 vjeçe, Fanije Dalladaku. Si pasojë e plagëve të marra, e moshuara ka humbur jetën.
Gjatë ngjarjes, 45-vjeçari goditi edhe babain e tij, 77 vjeç. I moshuari Hasan Dalladaku pas plagëve u transportua në spital.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, motivet e ngjarjes janë ende të paqarta. Florion Dalladaku dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor.
Njoftimi i policisë
Kapet një orë pas ngjarjes autori i dyshuar i vrasjes së nënës dhe i plagosjes së babait.
Autori i dyshuar u kap duke drejtuar automjetin e vëllait, në tentativë për të dalë nga qarku Fier.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për ngjarjen e ndodhur në fshatin Zhymë, Lushnjë, ju informojmë se:
Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta të Policisë rrethuan zonën, ngritën pika kontrolli dhe u vunë në ndjekje të autorit, i cili paraqiste rrezikshmëri edhe për banorët e tjerë.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe angazhimit të shërbimeve të Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Komisariatit të Policisë Lushnjë, u bë i mundur lokalizimi i autorit të dyshuar, pranë Spitalit Memorial, Fier, dhe vënia në pranga e tij, rreth një orë pas ngjarjes.
Shtetasi F. D., 45 vjeç, është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, së bashku me automjetin që drejtonte, ku po kryhen veprimet procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të saj.



