Krimi i organizuar bashkëpunon në Evropën Juglindore

schedule08:15 - 21 Maj, 2019

schedule 08:15 - 21 Maj, 2019

Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar: “Ballkani ka ende punë për të bërë. Sidomos kur vjen fjala tek lufta kundër krimit të organizuar në rajon, i cili ndryshe nga politika bën bashkë të gjithë grupet kriminale, pa dallim kombësie”.

Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore, si pjesë e Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, publikoi të hënën (20.05) në Vjenë raportin me të dhënat e mbledhura nga 20 ekspertë dhe gazetarë vendas nga shoqëria civile në Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, dhe në Serbi. Me temën “Zonat problematike të krimit të organizuar në vendet e Ballkanit Perëndimor”, raporti ka si qëllim forcimin e rolit të shoqërisë civile në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai përmban të dhëna të detajuara mbi qytetet kryesore, zonat bregdetare, pikat kufitare ose nyjet kyçe që janë më të predispozuara për t’u përdorur nga trafikantët e drogës, armëve, qenieve njerëzore, cigareve dhe të tjera veprimtarive kriminale që kryhen në Ballkan.

Harta e zonave problematike të rajonit

Raporti evidenton se krimi i organizuar i përzgjedh vendet ku vepron. Së pari, është pozicioni gjeografik i favorshëm. Ballkani ka vendndodhje strategjike për grupet kriminale që e përdorin atë si tranzit, për të kaluar më pas në tregun e madh dhe fitimprurës të Evropës. Më pas renditet qeverisja e dobët dhe e korruptuar si dhe ekonomia e dobët.

“Janë rreth 40 zona problematike që kemi identifikuar. Janë vende si Durrësi në Shqipëri, për shembull, ose Bar në Malin e Zi. Ballkani është kthyer në një portë të madhe për kokainën që futet nga Amerika e Jugut dhe këto dy qytete janë parë si pika kyçe për hyrjen e kokainës në rajon. Një tjetër zonë është pika kufitare ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës që quhet Kulla, ku vërehet një numër në rritje i aktiviteteve kriminale, duke nisur nga trafiku i drogës apo kontrabanda e cigareve ndërmjet këtyre dy vendeve. Një tjetër zonë problematike është në pikat kufitare mes Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, dhe aty kryesisht kalon kanabisi që vjen nga Shqipëria. Është shumë e lehtë të trafikosh kanabis nga njëri shtet tek tjetri sepse nuk ka shumë kontroll policor dhe nga ana tjetër policitë nuk janë të pajisura me teknologjitë më të fundit që mund t’u mundësojnë gjurmimin e drogave. Gjithashtu është i pranishëm edhe korrupsioni në radhët e forcave policore dhe një pjesë e konsiderueshme e lehtësirave që u krijohen këtyre veprimtarive kriminale mundësohen edhe nga korrupsioni. Jo vetëm korrupsioni nga policët kufitarë por edhe në instancat më të larta” – i tha Deutsche ëelle-s Fatjona Mejdini, koordinatore në terren e Ballkanit Perëndimor për Iniciativën Globale.

Rivalë në politikë, bashkëpunëtorë në trafiqe

“Përveç zonave problematike ne kemi evidentuar edhe pika që i kemi quajtur zonat më vulnerable rajonale dhe e tillë është veriu i Kosovës. Ajo është një zonë gri ku kryhen të gjithë llojet e kontrabandës dhe grupet kriminale shqiptare me ato serbe kanë një bashkëpunim shumë të ngushtë. Veriu i Kosovës është vendi ku krimit nuk i intereson aspak etnia. Ne shohim politikanë dhe qeveri të Ballkanit që nuk bashkëpunojnë pikërisht për çështje të kombësisë dhe etnisë dhe nga ana tjetër kemi krimin që nuk ka pengesa të tilla për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin” – thekson koordinatorja Mejdini për DW.

“Karburanti është malli që kalon më shpesh kontrabandë, nga veriu në jug. Më pas vijnë materialet e ndërtimit, ilaçet, makinat, cigaret, ushqime, pije, dhe mallra të tjera. Llogaritet se nga këto aktivitete të paligjshme buxheti i Kosovës humbet çdo javë rreth 750,000 euro nga tarifa doganore të pambledhura. Një pjesë e mirë e këtyre mallrave nuk qëndrojnë në pjesën veriore me popullsi serbe, por transportohen për në jug në zona të Kosovës me popullsi shqiptare. Kjo tregon edhe njëherë se kur vjen puna tek rrjetet e kontrabandës, kriminelët bashkëpunojnë me njëri-tjetrin pavarësisht dasive etnike, apo ndarjeve gjeografike e administrative” – thuhet në raport.

A ka zgjidhje?

Raporti nënvizon, se “ndërtimi i mureve dhe mbyllja e kufijve nuk është zgjidhje afatgjatë e problemeve, të cilët mund të krijojnë më shumë stimuj për aktivitete kriminale. As injorimi apo minimizimi i problemit nuk është zgjidhje. Në këtë mënyrë vetëm sa i jepet më shumë pushtet elitave të korruptuara, çimentohen praktika të padrejta, stimulohet largimi i trurit, shtohet paqëndrueshmëria, dhe largohen investitorët e huaj. Në mënyrë paradoksale, ata politikanë që luajnë rolin e nacionalistit të flaktë shpesh janë përgjegjës për dobësimin nga brenda të sovranitetit të shtetit, dhe janë të gatshëm të venë në rrezik interesat kombëtare për përfitime personale – shpesh duke bërë pazare të fshehta me “armikun,” apo edhe me shtete të huaja”.

Sipas Mjedinit, “bashkëpunimi është zgjidhja më e mirë. Përfshirja më e gjerë e shoqërisë civile, të cilën nuk e shohim shumë të angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar. Deri tani, kjo luftë është parë si një luftë që duhet bërë vetëm nga organet ligjzbatuese dhe ky koncept është shumë larg asaj çka duhet bërë”./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!