Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi vlerëson se dënimi me vdekje nuk i jep zgjidhje situatës së kriminalitetit. Në studion e “Bardh a Zi”, ku u diskutua kjo çështje për shkak se opinioni publik ka kërkuar në masë rikthimin e vendimit pas ngjarjes në Fier, Koço theksoi se nuk do të ishte zgjidhje. Sipas tij, duhet të rishikohet legjislacioni dhe të forcohen institucionet.
Gjithashtu, Koçi nënvizoi se duhet të bëhet edhe edukimi i shoqërisë që sëmundja mendore nuk është turp, duke iu referuar faktit se shumë krime vijnë nga persona që kanë probleme të tilla.
Lexo edhe: Ballanca: Koha e dënimit me vdekje ka ikur që në Luftën e Dytë Botërore
“Në një moment emocionaliteti kuptohet që njerëzit të priren për të vendosur masa më ekstreme. Ne mendoj unë defektin kemi te sistemi gjyqësor. Nëse do të vinim edhe dënimin me vdekje atëherë do të ishte arsye më shumë për një korrupsion më të madh. Nuk është kjo zgjidhja. Për sa i përket atyre krimeve që vijnë si pasojë vendimeve të padrejta të gjyqësorit nuk është zgjidhja dënimi me vdekje, por dënime të marra sipas ligjit. Ka nevojë të rishikohet legjislacioni. Që shpesh shumë kriminelë manovrojnë me procedura dhe shmangin burgun e përjetshëm, nëse sillen mirë dalin dhe pasi dalin bëjnë një krim tjetër. Mendoj se këtu duhet parë çështja. Për disa figura krimi të mos ketë fare hapësirë. Mjeshtrat që mbrojnë kriminelët i gjejnë hapësirat.
Gjyqësori të jetë sa më i ndershëm, le të rishikojmë legjislacionin aty ku ka për të rishikuar. Nuk është problemi te dënimi me vdekje por të zbatohet ligji. Te krimet që bëhen nga njerëz me probleme mendore, këtu ka shumë për të bërë. Duhet të edukojmë shoqërinë që sëmundja mendore është si çdo sëmundje tjetër. Nuk duhet të ketë familja, ta çojë atje ku duhet e quajnë turp që të pranojmë se kanë një të sëmurë mendor. Edhe institucionet duhen forcuar,” u shpreh ai. g.v/abcnews.al