Krimet mjedisore, Çuçi u “tërheq” veshin vartësve: Procedimet e dënimet të pakta, satelitët do sjellin transformim

schedule16:38 - 15 Dhjetor, 2021

schedule 16:38 - 15 Dhjetor, 2021

Krimi mjedisor ka qenë kryefjalë e fjalës së ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi gjatë një aktiviteti ku u prezantuan ndryshimet në aplikacionin Komisariati Dixhital. Rezerva, ministri ka pasur për strukturat policore dhe jo vetëm, duke evidentuar se ka numër të pakët të procedimeve dhe dënimeve për krimet mjedisore.

Takimi i sotëm vjen në vazhdën e shumë përpjekjeve që ne kemi bërë që kur nisëm të qeverisim Shqipërinë për të mbrojtur mjedisin dhe për të kontrolluar sa më mirë territorin. Moratorumi i pyjeve dhe për gjuetinë ka dhënë rezultate por jemi larg asaj ku duhet të mbërrijmë. E di që ky është problem botëror por ne kemi detyrim të përbashkët të bëjmë gjithçka duhet. Në këto vite kemi marrë një mori nismash në mbrojtjen e mjedisit. IKMT tashmë është bërë pjesë e rëndësishme e strukturave të ministrisë së brendshme.

Sot në polici kemi ngritur dhe funksionon një strukturë e posaçme për ndjekjen e krimeve mjedisore. Ende mbetet problem numri i pakët i procedimeve dhe dënimeve për krimet e mjedisit. Është i domosdoshëm ndryshimi i mentalitetit të trajtohen si çdo krim tjetër kundër personit dhe pasurisë. Për të kuptuar peshën e këtij ndryshimi në mentalitet po u sjell në vëmendje një raport të kombeve të bashkuara. 91 miliardë dollarë dëme për shkak të krimeve mjedisore në të gjithë botën. Në raport, krimet në mjedis renditeshin ndër të katërtit për nga rëndësia, pas atij të drogës, kontrabandës dhe trafikut të qenieve njerëzore. Pra figura e katërt e veprave penale të shkaktuara në botë. Kjo tregon peshën që kanë krimet në mjedis”, tha ministri.

Duke evidentuar rëndësinë që kanë krimet mjedisore dhe botë dhe dëmet që kanë sjellë referuar këtu një raporti të OKB, ministri theksoi se në 3 vitet e fundit në vendin tonë janë deri në 3 mijë vepra penale në mjedis. Peshën kryesore, Çuçi thekson se e zënë ndërtimi i paligjshëm dhe shpërdorimi i tokës.

“Nga të dhënat që kemi tregojnë se 3 vitet e fundit kemi deri në 3 mijë vepra penale në mjedis në të cilat ato për ndërtim të paligjshëm pushtim dhe shpërdorim të tokës zënë pjesën kryesore. Që nga 1 shtatori i këtij viti janë deri në 40 mijë denoncime të bëra në komisariat dixhital, 276 denoncime për krimet e mjedisit.  Për të rritur numrin  e denoncimeve ne do paraqesim ndryshimet që kemi bërë në këtë aplikacion.në butonin krimi mjedisor të gjithë përdoruesit do gjejnë llojet e krimit mjedisor. Ndotje uji, ndotje toke, depozitimi i paligjshëm i mbetjeve, ndotje me inerte apo ndotje akustike”, shtoi ai.

Fjalën e tij e mbylli duke i tërhequr veshin të gjitha strukturave, ndërsa theksoi se me dronët inteligjentë dhe shërbimin satelitor transformimi do të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm.

“Fryma transformimit do të vijojë gjatë vitit pasues me informacionet nga dronët apo nga shërbimi satelitor made in albania që do gjenerojnë raporte në kohë reale. Ky angazhim i gjithë strukturave do rezultonte i paplotë nëse s’do gjente mbështetjen e publikut dhe të gjithë shoqërisë. Do doja të tërhiqja vëmendjen e të gjitha strukturave, të gjitha agjencisë ligjzbatuese për mbrojtjen e mjedisit, të shtojmë përpjekjet për të mbrojtur këtë pasuri të përbashkët”, përmbylli ministri mes të tjerash fjalën e tij. be.k/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!