“Krimea të njihet si pjesë e Rusisë”, Zelensky i kundërpërgjigjet miliarderit të Tesla-s: Cili Elon Musk ju pëlqen më shumë?

schedule07:25 - 4 Tetor, 2022

schedule 07:25 - 4 Tetor, 2022

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ndaj Elon Musk, pasi shefi i Tesla-s postoi një sondazh në Tëitter me sugjerimet e tij për t’i dhënë fund pushtimit rus.

Musk u kërkoi 107.7 milionë ndjekësve të tij të votojnë për idetë që përfshinin dhënien e territorit Rusisë.

Si përgjigje, Zelensky postoi sondazhin e tij duke pyetur përdoruesit nëse u pëlqente më shumë personi më i pasur në botë kur ai mbështeti Ukrainën, apo kur mbështet Rusinë.

Idetë e Musk përfshinin votim në pjesë të Ukrainës të pushtuara nga Rusia që Rusia thotë se po i anekson.

“Rusia largohet nëse ky është vullneti i popullit”, tha miliarderi.

Presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur tashmë katër rajone të Ukrainës si pjesë të Rusisë, pas të ashtuquajturave referendume të denoncuara nga Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë. Rusia nuk kontrollon plotësisht asnjë nga katër rajonet.

Musk sugjeroi gjithashtu se bota duhet ta njohë zyrtarisht Krimenë e aneksuar nga Rusia në vitin 2014, si pjesë e Rusisë.

Dhjetë orë pasi u postua sondazhi kishte marrë më shumë se 2 milionë vota.

Zelensky u përgjigj me sondazhin e tij duke pyetur: “Cili Elon Musk ju pëlqen më shumë? Ai që mbështet Ukrainën (ose) Ai që mbështet Rusinë.”

Tetë orë pasi u postua, ai sondazh ishte votuar më shumë se 1.5 milion herë.

Më herët gjatë pushtimit rus, kompania e internetit satelitore e zotit Musk dërgoi pajisje në vend.

Kjo fitoi popullaritetin e Musk në Ukrainë dhe më pas ai u ftua nga Zelensky për ta vizituar kur lufta me Rusinë të mbarojë.