Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Krijuan skemë mashtrimi me TVSH-në/ Gjykata jep vendimin,16 vjet burg për pesë organizatorët

schedule12:15 - 11 Nëntor, 2025

schedule 12:15 - 11 Nëntor, 2025

TIRANË– Gjashtë persona janë shpallur fajtorë pas hetimeve për një skemë mashtruese të organizuar, e cila synonte përfitimin e rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Mes të shpallurve fajtorë figurojnë dy shtetas italianë dhe disa subjekte të lidhura me ta, të cilat sipas hetimeve janë përdorur për të krijuar fatura të rreme.

Të dënuarit janë: Ilir Qafa, Elton Beqiraj, Andrea Emanuele di Dio, Salvatore Castorina, Salvatore Cascino, Zaho Kuka

Hetimet zbuluan se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin regjistruar kompani dhe kishin lëshuar fatura me TVSH për shërbime konsulence të cilat në realitet nuk ishin kryer. Këto faturime fiktive prodhonin teprica kreditore në sistemin e TVSH-së, që më pas ishin përdorur për të kërkuar rimbursime të papajtueshme me realitetin ekonomik.

Në vendimin e saj, Gjykata ndëshkoi gjithashtu edhe pesë kompani të përfshira në skemë me një total prej 6.1 milionë lekësh.

Njoftimi i Gjykatës: 

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës sëParë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u shpallën fajtor shtetasit Ilir Qafa, Elton Beqiraj, Andrea Emanuele di Dio, Salvatore Castorina, Salvatore Cascino, Zaho Kuka si dhe shoqëritë ‘Sidec Alenergy’ shpk, ‘Primis’, ‘Gainsbourg’ shpk, ‘Al Nair Trading’ shpk dhe ‘CS International Consulting’ shpk, për veprat penale ‘Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar’ e kryer nëbashkëpunim, ‘Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëe’, ‘Mospagimi i taksave dhe tatimeve’ si dhe ‘Fshehja e të ardhurave’, parashikuar nga nenet 144/a dhe 25, 190/2, 181 dhe 180/a të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimi penal nr.252 të vitit 2021, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë tëJuridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, provoi se shtetasit Ilir Qafa dhe Elton Beqiraj në bashkëpunim me shtetasit italianë Andrea Emanuele di Dio, Salvatore Castorina, Salvatore Cascino kanë ngritur një skemë mashtruese për përfitimin e rimbursimit të TVSH, nëpërmjet kontratave fiktive të konsulencës juridike.

Këta persona dhe shoqëritë e tyre krijuan një skemë të mirëorganizuar të qarkullimit të parave përmes shërbimeve fiktive, me synim shpërndarjen e shumave monetare dhe shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitimin e padrejtë të TVSH-së, në kundërshtim me ligjet shqiptare dhe ndërkombëtare.

Të pandehurit Ilir Qafa, Elton Beqiraj, Andrea Emanuele di Dio, Salvatore Castorina, Salvatore Cascino. kanë qenë në rolin e ndihmësit të të pandehurit Andrea Emanuele di Dio., i cili rezulton të jetë në rolin e organizatorit, krijuesit dhe përfituesit kryesor nga kjo skemë mashtruese.

Ata kanë pranuar të lëshojnë në mënyrë fiktive fatura tatimore për shërbime konsulence në favor të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të shoqërisë “Sidec” të pandehurit Andrea Emanuele di Dio, duke e ditur shumë mirë se shoqëritë e tyre dhe ajo e të pandehurit u krijuan në funksion të ngritjes dhe vazhdimit të skemës mashtruese.

Ndërkohë i pandehuri Zaho Kuka me detyrë kontabilist, duke qenë në dijeni të plotë të situatës financiare, ka bërë një trajtim kontabël plotësisht të gabuar. Sa më sipër, me kërkesë të prokurorisë u shpallën fajtor shtetasit:

Ilir Qafa, Elton Beqiraj, Andrea Emanuele di Dio, Salvatore Castorina, Salvatore Cascino, Zaho Kuka:

Ilir Qafa Për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 144/a dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim;

Elton Beqiraj Për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 144/a dhe 25 i Kodit Penal “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim;

Andrea Emanuele di Dio – Për kryerjen e veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, të parashikuar nga neni 180/3 i Kodit Penal dhe “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, e kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 4 vjet burgim;

Salvatore Castorina – Për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, të parashikuar nga neni 181 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim;

Salvatore Cascino- Për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, të parashikuar nga neni 181 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

Zaho Kuka – Për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, të parashikuar nga neni 300 dhe dënimin e tij me 180 (njëqind e tetëdhjetë) orë punë në interes publik;

Deklarimin fajtor të personit juridik, shoqërisë “Sidec Albenergy” sh.p.k. për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave” dhe dënimin e tij me gjobë 1.500.000 lekë.

Deklarimin fajtor të personit juridik, shoqërisë “Primis” sh.p.k. për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me gjobë në masën 1 000 000 lekë.

Deklarimin fajtor të personit juridik, shoqërisë “Gainsbourg” sh.p.k. për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe dënimin me gjobë 1.200.000 lekë.

Deklarimin fajtor të personit juridik, shoqërisë “Al Nair Trading” sh.p.k. për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe dënimin me gjobë 1.200.000 lekë.

Deklarimin fajtor të personit juridik, shoqërisë “CS International Consulting” për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe dënimin e tij me një gjobë prej 1.200.000 lekë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!