“Krijuam muzikën perfekte, Spalletti u tregua burrë”, Ferguson kujton fitoren 7-1 në Romë

schedule10:59 - 28 Prill, 2021

schedule 10:59 - 28 Prill, 2021

Legjenda e “Djajve të Kuq”, Sir Alex Ferguson kujton fitoren historike të Manchester United 7-1 ndaj Romës në Champions League dhe pranon se ai u përpoq të nënshkruante Francesco Tottin. Ish-trajneri i United foli për La Gazzetta dello Sport përpara gjysmëfinales së Europa League të enjten.

Fitorja historike erdhi në çerekfinalen e Champione Legaue në vitin 2007 dhe Ferguson tha se ai e kuptoi menjëherë se do të ishte një natë e veçantë në Old Trafford.

“Secili lojtar propozoi muzikën e tij më të mirë dhe të gjithë së bashku ata krijuan një simfoni sublime. Sapo nisi ndeshja kisha ndjesinë se po jetoja një nga ato netët që rrallë ndodhin në jetën e një trajneri.”

Ferguson zbuloi se Luciano Spalletti erdhi në zyrën e tij pas ndeshjes, për të pirë një gotë vere me kundërshtarin, diçka që Sir e bënte gjithmonë.

“Unë isha i kënaqur që Spalletti pranoi ftesën, pavarësisht rezultatit dhe eliminimit. Ai erdhi në zyrën time dhe fakti që ai u paraqit, duke mbajtur premtimin e tij, ishte një demonstrim i një personaliteti të fortë. Mund ta imagjinoj se nuk ishte e lehtë për të që të ngrinte dolli me mua, por ai nuk u tërhoq, si një sportist i vërtetë”.

Legjenda e Manchester United e ka përmendur edhe më parë Tottin në autobiografinë e tij dhe u pyet nëse ai është përpjekur ndonjëherë të nënshkruajë fituesin e Kupës së Botës.

“Na pëlqente si lojtar dhe do të donim ta përfshinim atë në planet tona. Por kur ne shprehëm interesin, menjëherë u bë e qartë se Totti nuk donte të largohej nga Roma. Ai ishte thellësisht i lidhur me qytetin e tij. CV-ja e tij është e qartë. Totti ka veshur vetëm fanellën e Romës”, tregon Ferguson. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!