Krijimi i Policisë Private, Hodaj: Ja si do të rekrutohen efektivët

schedule16:09 - 5 Prill, 2019

schedule 16:09 - 5 Prill, 2019

Një ditë pas vendimit për të krijuar shoqërinë tregtare për ruajtjen e sigurisë fizike dhe private, zv.ministri i brendshëm Julian Hodaj, ka dhënë detaje se di do të rekrutohen punonjësit. Sipas tij, do të punësohen efektivë me eksperiencë, shoqëria “Ilirian Gard”, do të veprojë në disa fusha.

Burimi kryesor i rekrutimit të punonjësve të policisë private “Illyrian Guard”, do të bëhet nga ish efektivë apo efektivë që kanë një eksperiencë në policinë e Shtetit prej më shumë se 20 vitesh.

Kështu u shpreh zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj, duke theksuar edhe fushat ku do të operojë,  Shoqëri Aksionore në varësi të Ministrisë së Brendshme.

“Duke qenë shoqëri tregtare mund të operojë në të gjitha fushat që e gjykon të arsyeshme dhe në të gjitha ato fusha, të cilat përveçse mund të krijojnë të ardhura, mund të jenë edhe me interes për zhvillimin e mëtejshëm. Në Policinë e Shtetit ka shumë njerëz me eksperiencë, të cilët për një arsye ose për një tjetër, nuk kanë pasur atë ecuri në karrierë. Flasim për ata që kanë po themi 20-25 vite eksperiencë në Policinë e Shtetit. Mund të jetë një mundësi shumë e mirë për ta që të punojnë për një entitet privat, që garanton edhe kushte ndoshta të mira pune dhe duke vazhduar pak a shumë të punojnë në të njëjtin profil”.

Sipas Hodaj, “Illyrian Guard”, u krijua për këto tre arsye:

“Për të ofruar një standard të ri cilësie në tregun e sigurisë dhe rendit publik; për të kursyer nga buxheti i shtetit shuma të konsiderueshme që shkojnë sot për ruajtje dhe sigurisë fizike nga institucionet shtetërore; e treta, jo më pak e rëndësishme, ofron një mundësi të mirë freskimi për personelin e Policisë së Shtetit.

Do të organizohet me disa departamente në varësi të shërbimeve që do të japë. Nuk është thjeshtë një shoqëri që ofron shërbim ruajtjeje dhe sigurie fizike, pra nuk është thjesht një ‘SHPSF’, patjetër që do të operojë edhe në atë treg, sidomos me institucionet shtetërore. Por edhe një komponent tjetër mjaft i rëndësishëm është kërkimi teknologjik dhe fusha e teknologjisë së informacionit. Pra, ajo që ne kemi si shtysë sot që është modernizimi i strukturave të Ministrisë së Brendshme”.

Ishte Këshilli i Ministrave që vendosi Krijimin e shoqërisë tregtare “Illyrian Guard”sh.a., me kapital fillestar dhjetë milionë lekë që do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!