Në Shqipëri, komuniteti i gazetarëve po shpreh shqetësim pas vendimit të qeverisë për krijimin e Agjensisë për Media dhe Informim. Pedagogë të shkencave të komunikimit dhe gazetarë i thanë Zërit të Amerikës, se ky vendim do të centralizojë informacionin dhe do të ngushtojë hapësirat e lirisë së medias. Zyrtarët i hedhin poshtë këto pretendime dhe shprehen se vendimi synon të rrisë shpejtësinë dhe cilësinë e informimit të publikut si dhe të mënjanojë mangësitë që janë vërjetur deri tani.
Vendimi i qeverisë socialiste në mbledhjen e saj të parë të mandatit të tretë, për krijimin e Agjensisë për Media dhe Informim, ka nxitur diskutime në komunitetin e gazetarëve dhe qarqet universitare. Kjo agjensi sipas vendimit do të përbëhet nga disa struktura të posaçme përgjegjëse për informim pranë çdo ministrie dhe institucioni qendror në varësi të kryeminIstrit dhe ministrave dhe do tëkordinojë punën mes tyre për të informuar publikun dhe median.
Agjensia për Media dhe Informim do të kryesohet nga një drejtor i përgjithshëm, me statusin e ministrit të shtetit, që emërohet dhe shkarkohet nga kryministri. Pedagogë të shkencave të komunikimit dhe përfaqësues të komunitetit të gazetarëve e konsiderojnë këtë vendim, një nisëm që centralizon informacionin në dëm të lirisë së shprehjes dhe medias.
“E shoh të panevojshëm një vendim të tillë. Qeveria deri tani ka patur një praktikë të komunikimit me median me të cilën gazetarët jo se ishin të kënaqur, por gjithsesi funksiononte me një lloj autonomie për mënyrën se si përcillej informaconi nga një ministri tek tjera. Ministri përkatës kishte një qasje të diferencuar nga kolegët e tij përsa i përket marrëdhënies ne mediat, ndërkohë që tani do të keminjë agjensi e cila i vë nën kontroll të gjithë zëdhënësat për shtyp të ministrive dhe do të krijohet një informacon, i cili është uniform dhe që i përcillet publikut në atë mënyrë që do dojë vetë qeveria”– u shpreh për Zërin e Amerikës, Erlis Çela, pedagod i shkencave të komunikimt në Universitetin Bedër, Tiranë.
Ervin Goci, aktivist dhe pedagog i gazetarisë në Universitetin e Tiranës, tha për Zërin e Amerikës se është dyshues mbi veprimtarinë e Agjensisë për Media dhe Informim duke sjellë këtë argument.
“Një vendim të tillë unë do ta shihja si një formë të shtetëzimit të informacionit dhe informimit. Atje do ketë njerëz që do vlerësojnë kërkesat për informacion të qendërzuara në një tryezë, dhe çdo gjë që ndodh në të gjithë shtetin, e merr kryeministria në mënyrë të qendërzuar dhe prodhon një tip informacioni. Me keq akoma, do ketë njerëz atje që do interpretojnë se çfarë duhet të japin, kur ne e dimë që institucionet e shtetit duhet të jenë neutrale”– i tha Zërit të Amerikës Ervin Goci, lektor në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, UT.
Ministrja e shtetit Elisa Spiropali i tha Zërit të Amerikës se këto pretendime nuk qëndrojnë dhe se krijimi i agjensisë është një riorganizim i brendshëm institucional i strukturave përgjegjëse për informimin e publikut dhe medias. Ky akt, tha ajo, synon rritjen e transparencës, dhe mënjanimin e disa mangësive që janë vërejtur gjatë punës.
“Është një ‘optimizim’ i punës, i komunikimit publik dhe i zyrës pranë kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave. Patjetër janë vënë re dhe rastekur përgjigja ka munguar, kur nuk është dhënë në kohë, kur transparaneca nuk ka qenë e plotë me median apo me publikun apo thjesht puna nuk është bërë si duhet nga disa prej institucioneve. Besojmë se kjo agjensi, e mbështetur në modelin më të mirë, atë gjerman që ka 50 vjet që funksionon, i ngjashëm, do të mund t’i adresojë disa nga këto probleme dhe mbi të gjitha do rrisë shpejtësinë dhe cilësinë e komunikimit me publikun”– tha për Zërin e Amerikës Elisa Spiropali, Ministre Shteti për marrëdheniet me parlamentin.
Aleksandra Bogdani, gazetare e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, thotë se pas modelit gjerman fshihet synimi për të rritur propagandën qeveritare dhe për të vënë informacionin nën kontrollin e pak duarve.
“Modeli gjerman nuk e centralizon informacionin. Sigurisht që ka një zyrë shtypi federale dhe qëllimi i saj është që të japë informacion sa më transparent në interes të informimit të publikut dhe jashtë ndikimit politik. Ajo që po bën Kryeministri Rama është e kundërta, e fut informacionin brenda një strukture me ndikim politik” – tha për Zërin e Amerkës Aleksandra Bogdani, gazetare e Birn.
Pedagogu i komunikimit në Universitetin Bedër, Erlis Cela, shkon me tej kur thotë se kjo agjeni për media dhe informim do të shuajë dhe ato pak zëra kritikë brenda qeverisë.
“Përqendrimi i informacionit në pak duar do të shuajë dhe ato pak zëra që mendojnë disi ndryshe brenda kabinetit qeveritar. Pra, çfarë kuptimi ka që të kemi ministra të ndryshëm, këshilltarë për median në ministri të ndryshme, sepse ata do mendojnë dhe veprojnë ashtu siç u thotë agjensia”– vijoi Erlis Çela, pedagod i shkencave të komunikimt në Universitetin Bedër, Tiranë.
Ministrja e shtetit Elisa Spiropali, i hedh poshtë këto qëndrime dhe thotë se, personat që janë përgjegjës për të ruajtur raportin me median dhe publikun në të gjitha institucionet shtetërore në varësi të qeverisë, do të kordinohen nga kjo zyrë, e cila sipas saj do të sigurojë që përgjigja të jepet në kohë , të jetë shteruese.
“Ka një keqkuptim të thellëpër këtë çështje. Nuk e di a është lexuar projekt-akti, apo ky është njëparagjykim i përgjithshëm. Nga pikpamja ligjore dhe kushtetuese nuk ka asnjë pikpyetje. Nga pikpamja e pavarësisë, ministritë nuk janë institucione të pavarura. Ato janë organe të Këshillit të Ministrave dhe detyra e tyre është që në bazë të programit të qeverisë të mund të përgjigjen me transparencë përpara publikut. Për këtë do të sigurohemi dhe këtë do mundohemi të bëjmë”– vijoi Elisa Spiropali, Ministre Shteti për marrëdheniet me parlamentin.
Zëri i Amerikës iu drejtua dhe zyrës së përfaqësuesit të OSBE-së në Vjenë për lirinë e medias, në lidhje me një opinion mbi vendimin e qeversë shqiptare për krijimin e Agjensisë për Media dhe Informim, por ende nuk ka një qëndrim. Ndërkohë, Ministrja e shtetit Elsia Spiropali, e pyetur nga Zëri Amerikës, nëse ka patur bashkëpunim me zyrën e OSBE -së në Tiranë për këtë çështje dha këtë përgjigje:
“Me OSBE-në ne kemi bashkëpunim të ngushtë për çështje që kanë të bëjnë me lirinë e medias dhe jo për çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e Këshillit të Ministrave, apo me detyrat që ne kemi. Ky vendim nuk prek lirinë e medias apo ndonjë ligj që ka lidhje me lirinë e medias”– sqaroi Elisa Spiropali, Ministre Shteti për marrëdheniet me parlamentin.
Përballja e medias me të gjitha qeveritë në Shqipëri në këto tre dekada pas rënies së regjimit komunist, ka qenë në vijimësi e vështirë. Shqipëria në të gjitha raportet e organizatave prestigjoze që monitorojnë lirinë e medias në botë, karakterizohet si shtet me situatë të vazhdueshme problematike. Përdorimi i gjuhës denigruese nga zyrtarët ndaj gazetarëve i ka kthyer ata shpeshherë në shënjestra sulmesh nga të gjitha anët perfshi dhe botën e krimit.
Në mjaft raporte thuhet se interesat politike dhe ekonomike të pronarëve të mediave nxisin shpeshherë dhe vetëcesnurën. Analistët gjithashtu shohin me keqardhje, se dhe vetë brenda medias ka raste korrupsioni, shantazhi dhe gjobvënie ndaj bizneseve, prandaj dhe çdo nisëm ligjore e cila ka në thelb median, shkakton në mënyrë të menjëhershme dhe në çdo kohë ndjeshmëri të gjerë publike./ VOA