“Krevat dopio dhe zyra luksoze”, QSUT reagon pas deklaratave të Berishës: Po investojmë për spitalin e ri

schedule15:41 - 4 Korrik, 2022

schedule 15:41 - 4 Korrik, 2022

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar pas denoncimit të bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha se drejtoresha Albana Fico kishte porositur krevat dopio për zyrën e saj. QSUT e ka mohuar një gjë të tillë dhe sqaron se nuk ka asnjë tender për mobilimin e zyrave, duke thënë se kjo bëhet me qëllim për të hedhur baltë mbi institucionin.

Sipas QSUT tenderi është për shkak se spitali i Ri i Sëmundjeve të Brendshme është në fazën e finalizimit të investimit dhe paralelisht, të mobilimit dhe pajisjeve mjekësore.

“Nuk ka asnjë procedurë prokurimi për pajisjen e zyrave të administratës së QSUT. Spitali i Ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT është në fazën e finalizimit të investimit dhe paralelisht, të mobilimit dhe pajisjeve mjekësore me standarde europiane, për të cilat QSUT ka realizuar procedurat e para.

Të gjitha pajisjet, përfshirë edhe shtretërit për dhomat e pacientëve, mobilimin spitalor dhe pajisjet që nevojitet për të bërë një spital funksional, janë realizuar në përmbushje të kërkesave të shërbimeve universitare të Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT dhe janë konform standardeve të përcaktuara.

QSUT rithekson se, nuk ka asnjë procedurë për mobilimin e zyrave të QSUT. Çdo përpjekje për të hedhur baltë mbi punën e stafit të QSUT, nuk do të stepë e demotivojë punën e një ekipi që punon çdo ditë me përkushtim e profesionalizëm në shërbim të qytetarëve”, shkruan QSUT. /abcnews.al