Një shofer automjeti në aksin rrugor “Librazhd-Prrenjas” ka kryer një parakalim të gabuar duke rrezikuar automjetet e tjera. Si pasojë, është gjobitur nga policia rrugore e Elbasanit me 12 mijë lekë të reja.
Njoftimi i Policisë:
Policia Rrugore e Elbasanit/Partneritet i vazhdueshëm Polici-qytetarë, për të identifikuar dhe ndëshkuar shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor.
Pas denoncimit nga një qytetar, në strukturat e Policisë Rrugore të Elbasanit, nëpërmjet pamjeve filmike ku shfaqet një automjet që kryen parakalim të gabuar, në kthesë me rrezikshmëri për t’u përfshirë në ngjarje rrugore, në aksin rrugor “Librazhd-Prrenjas”, shërbimet e Policisë kanë kryer verifikimet.
Si rezultat, shërbimet e Policisë Rrugore kanë identifikuar drejtuesin e këtij automjeti, shtetasin dhe i kanë vendosur atij, masën administrative 12 000 lekë të rinj, bazuar në pikën 10 të nenit 141, të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore e Elbasanit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe të vijojnë të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së tyre.