Kreu i KED në prokurori, Dvorani: Kjo nuk është garë, nëse kam fakte do kallëzoj Metën

schedule18:00 - 11 Dhjetor, 2019

schedule 18:00 - 11 Dhjetor, 2019

Një ditë pas presidentit, Prokuroria e Tiranës ka thirrur për të marrë në pyetje kreun e KED Ardian Dvorani. Pas tre orësh, i padituri nga kreu i shtetit tha se nuk është në garë për kallëzime, por ironizoi Presidentin për videon e publikuar për të.

Me dorën në xhep dhe i buzëqeshur kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani është paraqitur në prokurorin e Tiranës. Për më shumë se 3 orë Dvorani u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve, në lidhje me kallëzimin e bërë nga Presidenti Ilir Meta.

Pas daljes nga organi i akuzës gjyqtari i Gjykatës së Lartë u shpreh se ka dhënë shpjegime të detajuar, me vlerë për procedimin. Dvorani tha se nëse merret i pandehur nga prokuroria do të përballet me ligjin.

Dvorani u pyet nga gazetarët nëse do të bënte kallëzim penal për presidentin, por kreu i KED tha se kjo nuk është garë.

Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi tha se hetimet nuk kryhen duke dalë në media dhe se nuk kishte nevojë për publicitet. Nuk e ka kursyer ironinë ndaj Presidentit që ka paralajmëruar për video përvëluese.

Nuk ka vonuar reagimi i presidentit për këto deklarata. Përmes zëdhënësit Tedi Blushi, Presidenca shprehet se nuk pret asnjë reflektim publik nga ai që e quan dhunues me dashje i Kushtetutës dhe i ligjit, i mirëdokumentuar, i provuar dhe përsëritës në shkeljen e tyre.

Kreu i shtetit e ka kallëzuar Ardian Dvoranin për dy vepra penale, “Shpërdorim detyre” dhe “Përvetësim të titullit shtetëror”.

Në ditët e ardhshme, prokuroria do marrë në pyetje 10 anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për padinë e kreut të shtetit ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani./abcnews.al