Kreu i Hamas thirrje Blinken t’i japë fund luftës

schedule15:11 - 6 Janar, 2024

schedule 15:11 - 6 Janar, 2024

Udhëheqësi politik i Hamasit, Ismail Haniya i bëri thirrje kreut të diplomacisë amerikane, Anthony Blinken, i cili po viziton Lindjen e Mesme për të katërtën herë që nga 7 tetori, të fokusohet në “fundin” e ofensivës izraelite në Rripin e Gazës.

“Ne shpresojmë që këtë herë ai do të fokusohet për t’i dhënë fund luftës me qëllimin për t’i dhënë fund pushtimit të të gjithë tokës palestineze,” tha Haniya në një deklaratë.

“Shpresojmë që Blinken të ketë marrë mësimet e tre muajve të fundit dhe të kuptojë shkallën e gabimeve që Shtetet e Bashkuara bënë me mbështetjen e saj të verbër” ndaj Izraelit, shtoi lideri i lëvizjes islamike palestineze.

“Gjaku i derdhur në masakrat dhe shkatërrimi nuk mund të japë siguri dhe stabilitet derisa populli palestinez të marrë lirinë dhe të jetojë në një shtet të pavarur dhe sovran me Jerusalemin si kryeqytet”, tha ai.

Izraeli u zotua të shkatërrojë Hamasin pas një sulmi të paprecedentë më 7 tetor ku humbën jetën 1,140 izraelitë.

Rreth 250 persona u rrëmbyen në këtë sulm dhe u dërguan në Gaza. Rreth njëqind prej tyre u liruan gjatë një armëpushimi në fund të nëntorit.

Që nga 7 tetori, Izraeli ka bombarduar pa mëshirë Rripin e Gazës, një zonë e kufizuar dhe me popullsi të dendur në të cilën filloi një ofensivë tokësore më 27 tetor, ku si pasojë 22,722 persona humbën jetën, kryesisht gra dhe të mitur, sipas raportit të sotëm nga Ministria e Shëndetësisë e Hamasit.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!