Kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë UNRWA u ka kërkuar vendeve që kanë ndërprerë fondet të rishqyrtojnë vendimin e tyre “tronditës”.
“UNRWA është agjencia kryesore humanitare në Gaza, me mbi dy milionë njerëz që varen prej saj,” tha Philippe Lazzarini.
Tetë vende, përfshirë Britaninë e Madhe, më herët ndaluan financimin. Ata vepruan mbi akuzat se disa nga anëtarët e stafit të UNRWA-s ishin të përfshirë në sulmet vdekjeprurëse të Hamasit të 7 tetorit në Izrael.
Agjencia tha se ka hapur një hetim dhe ka shkarkuar ata punonjës.
Vendet që tani kanë pezulluar financimin e UNRWA janë Australia, Kanadaja, Finlanda, Gjermania, Italia, Holanda, Britania e Madhe dhe SHBA. E krijuar në vitin 1949, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë, UNRWA, është agjencia më e madhe e OKB-së që vepron në Gaza.
Ajo ofron kujdes shëndetësor, arsim dhe ndihma të tjera humanitare për palestinezët në Gaza, Bregun Perëndimor, Jordani, Liban dhe Siri dhe ka punësuar rreth 13,000 njerëz brenda Gazës.
Që kur Izraeli filloi ofensivën e tij në përgjigje të sulmeve të Hamasit, UNRWA ka përdorur objektet e saj në të gjithë Gazën për të strehuar qindra mijëra civilë të zhvendosur. Informacioni mbi përfshirjen e pretenduar të punonjësve të UNRWA-së në sulmet e Hamasit u dha nga Izraeli, i cili prej kohësh ka akuzuar degë të ndryshme të OKB-së, përfshirë UNRWA-n për paragjykim dhe madje edhe për antisemitizëm.
“Është tronditëse të shohësh një pezullim të fondeve për agjencinë në reagim ndaj akuzave kundër një grupi të vogël të stafit, veçanërisht duke pasur parasysh veprimin e menjëhershëm që UNRWA ndërmori duke ndërprerë kontratat e tyre dhe duke kërkuar një hetim të pavarur dhe transparent.
“Do të ishte jashtëzakonisht e papërgjegjshme të sanksionosh një agjenci dhe një komunitet të tërë të cilit i shërben për shkak të akuzave për akte kriminale kundër disa individëve, veçanërisht në një kohë lufte, shpërnguljeje dhe krize politike në rajon.
UNRWA ndan listën e të gjithë stafit të saj me vendet pritëse çdo vit, duke përfshirë Izraelin. Agjencia nuk mori kurrë ndonjë shqetësim për anëtarë të veçantë të stafit”, tha në një deklaratë të shtunën, Lazzarini./abcnews.al