Sondazh

Berisha bëri protestë me flamur gjerman. Por ndaj dhunës së saj reagon ashpër Gjermania:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kreshma, sakrifica e Pashkës/ Riti i kufizimit të ushqimeve, përkushtim për besimin

schedule15:51 - 11 Prill, 2026

schedule 15:51 - 11 Prill, 2026

Konstantina Rasa është një prej besimtarëve, që mban kreshmë, një formë agjërimi në besimin e krishterë.  Për 34-vjeçaren nga Elbasani, kreshma nuk është thjesht një sakrificë që kufizon heqjen dorë nga produktet me baze shtazore si mishi, bulmeti dhe vezët për një periudhë 40-ditore, por është një rrugëtim i thellë shpirtëror, i mbushur me reflektim dhe përkushtim. Ajo përpiqet ta përcjellë këtë traditë edhe te djali i saj 9-vjeçar, duke e përfshirë në praktikën e besimit.

“Jemi 3 anëtarë, djali më i vogël që është 9 vjeç, përpiqet bashkë me ne duke kufizuar më pak ushqime se sa ne por, duke shtuar përpjekjen shpirtërore, lutjen dhe ardhjen në kishë, ndjekjen e shërbesave…. Sipas traditës së krishterë, që në shekujt e parë kreshmimi ishte ky lloj kufizimi të disa ushqimeve, konkretisht janë produktet e mishit, bylmetit dhe veza. Si një lloj përpjekje për të kufizuar disa kënaqësi dhe për ti zëvendësuar me përpjekjen shpirtërore”, tha Konstantina Rasa, besimtare ortodokse.

Ajo tregon se lidhja e saj me Kreshmën ka nisur që në fëmijëri, duke kujtuar edhe periudhën e vështirë të komunizmit, kur besimi praktikohej fshehurazi brenda familjes.



“Rreth moshës 5-vjeç, mbaj mend që mësova për besimin dhe aty nisëm duke kërkuar prindërve që mos të hanim ushqimet…. Si një traditë dhe zakonisht më së shumti nga gjyshja ime na rikujtonte se pavarësisht se ishte e ndaluar besimi në kohën e komunizmit, përpiqeshin brenda familjes së ngushtë të flisnin për perëndinë, të përpiqeshin të ndalonin këto ushqime që ne përmendëm, dhe njëkohësisht brenda asaj frymës së sakrificës për të mbrojtur besimin e fshehtë, përpiqeshin që në ditën që do lyenin vezët shpesh herë edhe pa pasur një bojë por, me atë bojën që lëshon lëkura e qepës së kuqe, pasi i konsumonin i fshihnin nën dhe. Kjo ishte simbolika e tyre për të kujtuar ngjalljen, por fshehtë se nuk lejohej se kishte kosto më pas”, shtoi ajo.

Sot, këto tradita vijojnë të ruhen në familjen e saj. Lyerja e vezëve dhe simbolika që ato mbartin janë pjesë e pandashme e festimeve te Pashkës.

“Të enjten e madhe ne lyejmë vezët, këto i mbajmë zakonisht gjatë gjithë vitit. Ndërsa ata që lyejmë të shtunën i konsumojmë të dielën e pashkës. Këto vezë mund t’i ndajmë edhe me të tjerët që nuk e festojnë këtë. Vetë veza ka simbolin e jetës, që simbolizon ngjalljen e Krishtit”, u shpreh Konstantina Rasa.

Në ditën e festës se Pashkës ortodokse, familja mblidhet për të kremtuar fundin e sakrificës dhe fillimin e gëzimit shpirtëror. Konstantina tregon se çfarë nuk duhet të mungojë në tryezën festive.

“Në festë mblidhemi bashkë, gëzimi i mbylljes së një sakrifice që vjen me ngjalljen e Krishtit. Nuk mungon mishi i qengjit, buka e ëmbël e Pashkës dhe kandili”, tha ajo.

Për Konstantinën, Kreshma mbetet një mundësi për rilindje shpirtërore, ndërsa urimi i saj në fund të këtij rrugëtimi është i njëjtë çdo vit:

“Ju uroj sa më shumë shëndet, gëzim dhe një ngritje shpirtërore. Kjo sakrificë 40 ditore, shpresoj të ketë vlejtë për tu ringritur. Një urim që e themi atë ditë për të gjithë, Krishti u ngjall, vërtetë u ngjall”, përfundoi ai.

Të dielën të gjithë besimtarët e krishterë ortodoksë në vendin tonë, por, edhe nëpër  botë kremtojnë festën e Pashkës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!