Kremlini thërret ambasadorët e vendeve që dëbuan diplomatë

schedule14:30 - 30 Mars, 2018

schedule 14:30 - 30 Mars, 2018

Ministria e Jashtme e Rusis ka thirrur ambasadorët e vendeve që dëbuan diplomat rusë për rastin e helmimit të ish spiunit në Britani. Ata do të marrin një notë proteste dhe do të njoftohen për kundërmasat e Moskës.

Ambasadorët e vendeve që dëbuan diplomatë rusë për shkak të helmimit të një ish-spiuni në Britaninë e Madhe, u thirrën nga Kremlini për sqarime. Lajmi është raportuar nga mediat e Moskës që saktësojnë se një ftesë të tillë morën shefat e misioneve diplomatike të shteteve të cilat “morën masa antipatike ndaj Rusisë” në solidaritet me Britaninë.

Atyre do t’u jepen shënime me një notë proteste dhe do të njoftohen për reagimin e Kremlinit. “Nuk ishte Rusia që shkaktoi një luftë diplomatike me perëndimin. Rusia nuk nisi ndonjë shkëmbim sanksionesh”, është shprehur zëdhënësi I Vladimir Putin, Dimitry Peskov.

Ndërkohë, të enjten Moska vendosi si kundërpërgjigje të dëbojë rreth 150 diplomatë të huaj, ku përfshihen 60 zyrtarë të ambasadës amerikane. Gjithashtu njoftoi dhe mbylljen e konsullatës së Uashingtonit në Shën Peterburg. Për këtë ka ardhur dhe një reagim I departamentit amerikan të shtetit. Në një deklaratë, zëdhënësja Heather Nauert tha se Moska nuk duhet të sillet si viktimë. Zyrtarja e DASH kritikoi qeverinë ruse për vendimin e fundit.

Ndërkohë, të hënën, shumë vende europiane, përfshirë Shqipërinë si dhe SHBA njoftuan dëbimin e diplomatëve rusë në lidhje me incidentin në Salisbury të Britanisë. Më 4 mars, ish-spiuni rus Sergei Skripal dhe vajza e tij Julia u gjendën të pavetëdijshëm në shtëpinë e tyre. Autoritetet britanike akuzojnë drejtëpërdrejtë Kremlinin për helmimin e tyre me një substancë kimike që është prodhuar në Rusi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!