Kremlini: Gjithë infrastruktura ushtarake e NATO-s punon kundër Rusisë

schedule08:26 - 2 Shkurt, 2023

schedule 08:26 - 2 Shkurt, 2023

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi se SHBA-ja ka shkatërruar kornizat ligjore dhe traktatin për kontrollin e armëve. Duke folur për gazetarët në Moskë, Peskov tha se është i rëndësishëm Traktati i Ri i Reduktimit të Armëve Strategjike (START) i cili synon të frenojë aftësitë e raketave balistike bërthamore ndërkontinentale midis Rusisë dhe SHBA-së.

Ai tha se Rusia i kushton rëndësi të madhe vazhdimit të marrëveshjes. “Në fakt, ky është i vetmi traktat që mbetet i zbatueshëm, sepse SHBA-ja ka shkatërruar të gjitha kornizat ligjore dhe traktatet për sigurinë dhe kontrollin e armëve”, theksoi Peskov.

Sipas tij, NATO po vepron kundër Rusisë me të gjithë infrastrukturën e saj ushtarake. “Jemi duke e parë se e gjithë infrastruktura ushtarake, përfshirë satelitët e NATO-s, po punojnë për interesat e Ukrainës dhe kundër Rusisë. Këta po krijojnë mjedis shumë armiqësor për ne që ne nuk mund ta injorojmë”, potencoi Peskov.

Peskov foli për mundësinë e dërgesave të reja të raketave me rreze të gjatë në Ukrainë. “Kjo është një mënyrë për të nxitur tensionet dhe do duhet të shtojmë përpjekjet. Megjithatë, kjo nuk do të ndryshojë rrjedhën e zhvillimeve dhe operacioni special ushtarak do të vazhdojë”, tha ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!