Një ekspozitë e pajisjeve ushtarake perëndimore të marra nga forcat e Kievit gjatë luftimeve në Ukrainë u hap më 1 maj në kryeqytetin e Rusisë, në Moskë.
Ekspozita e organizuar nga Ministria Ruse e Mbrojtjes përfshin mbi 30 pjesë të pajisjeve të rënda ushtarake të prodhimit perëndimor, përfshirë një tank luftarak M1 Abrams të prodhuar nga SHBA-ja, një automjet luftarak të blinduar Bradley, një tank Leopard 2, një automjet të blinduar këmbësorie Marder nga Gjermania dhe një automjet të blinduar AMX-10RC të prodhimit francez.
Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur për një muaj në një vend përkujtimor të Luftës së Dytë Botërore, në perëndim të Moskës, përmban edhe armë zjarri, letra ushtarake dhe dokumente të tjera të ndryshme.
Autoritetet ruse kanë kritikuar furnizimet me armë dhe pajisje ushtarake perëndimore për Ukrainën, duke i cilësuar ato si dëshmi të përfshirjes së drejtpërdrejtë të NATO-s në konflikt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar vazhdimisht se furnizimet ushtarake perëndimore për Kievin nuk do të ndryshonin rrjedhën e konfliktit dhe nuk do ta pengonin Rusinë të arrijë qëllimet e saj.
Ekspozita vjen pasi forcat ruse kanë arritur të fitojnë më shumë terren në Ukrainën lindore, duke përfituar nga vonesat në ndihmën ushtarake të SHBA-së për ushtrinë ukrainase.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka përshëndetur ekspozitën në Moskë si një “ide të shkëlqyer”.
“Ekspozita e pajisjeve “trofe” do të tërheqë interesim të madh nga banorët e Moskës, mysafirët e qytetit tonë dhe të gjithë banorët e vendit”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. “Ne të gjithë duhet t’i shohim pajisjet e shkatërruara të armikut”.
Blogerët ushtarakë rusë tërhoqën paralele me shfaqjet dhe ekspozitat e pajisjeve ushtarake naziste të kapura që Bashkimi Sovjetik mbajti gjatë edhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, vuri në dukje se diplomatët e huaj me bazë në Moskë duhet ta shfrytëzojnë rastin për të vizituar ekspozitën për të parë se si “Perëndimi shkatërron paqen në planet”.
“Kjo ekspozitë do të jetë interesante për të gjithë ata që ende besojnë në ‘vlerat perëndimore’ mitike ose nuk arrijnë të vërejnë një agresion të lëshuar nga NATO-ja kundër Rusisë dhe popullit tonë”, tha Zakharova./REL