TIRANË- Bujqësia do të marrë më shumë mbështetje financiare nga bankat. Një nga instrumentet që mund të përfitojnë fermerët është linja e kredisë prej 250 milionë euro e miratuar tashmë nga Banka e Shqipërisë me norma interesi deri në 2%.
Ndërkohë, brenda këtij viti qeveria do të miratojë edhe një garanci sovrane, e cila do të mbështesë fusha, përfshirë investimet në sera, peshkim dhe agroturizëm.
Kreu i qeverisë, Edi Rama deklaroi se sfidë mbetet që eksportet bujqësore të arrijnë në 1 miliard euro në 2030. Ai theksoi se nën qeverisjen e tij janë katërfishuar vlerat e eksporteve, ndërsa inkurajoi bankat që të japin më shumë kredi për sektorin e bujqësisë.
Eksperti i bujqësisë dhe pedagogu i UBT-së, Fatmir Guri, i ftuar në “Money Report” u shpreh se sektori i bujqësisë duhet të zgjerojë linjat prodhuese dhe paralelisht me këtë të investojë në inovacion e teknologji.
Ky tregues shtoi ai do të fusë në treg edhe ata aktorë, të cilët nuk kanë qenë më parë në këtë fushë për shkak të vështirësive,.
“Bujqësia jonë ka nevojë për njësi të reja prodhuese, përpunuese dhe për inovacion, sidomos në kushtet kur bujqësia vuan nga një mungesë e krahut të punës. Ne kemi sektorin bujqësor me rritjen e pagës mesatare, për vitin 2023 dhe për 2024. Ne kemi nevojë që të kthehet nga një bujqësi nga përdorimi i krahut të punës në një inovacion. Kjo do ketë ndikim të drejtpërdrejtë, sepse fut në sistem aktorë, që deri tani ishin jashtë sistemit. Fondi do të ketë ndikim direkt në rritjen e financimit”, theksoi ai.
Ai theksoi se rritja e eksporteve bujqësore në vlerën 1 miliard euro deri në 2030 është objektiv shumë ambicioz i qeverisë shqiptare.
“Rritja e eksporteve në 2030 në një miliard euro është një objektiv ambicioz. Ne eksportojmë më shumë, por kemi dhe një mbulim më të mirë të kërkesës së brendshme për tregun shqiptar. Produktet shqiptare janë në më shumë se 88 tregje në botë, sigurisht se ka disa prej tyre që janë tregje simbolikë, por ka dhe disa bazike siç janë tregjet e rajonit dhe të vendeve të BE”, tha ai.