Qytetarët dhe bizneset vijojnë që ti paguajnë rregullisht këstet e kredive.Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se edhe gjatë muajit prill kreditë me probleme kanë qëndruar rreth nivelit 4% pothuajse i njëjtë me muajin e kaluar.Nëse bëjmë një krahasim të shifrave gjatë këtij viti vërehet se ecuria e huave me probleme ka rezultuar e qëndrueshme dhe ka qenë më e ulëta e regjistruar ndër dekada.Kjo ecuri konfirmon faktin se të ardhurat e familjeve dhe biznesve por edhe rritja ekonomike në vitet e fundit ka pasur një ecuri pozitive.
Në të njëjtën kohë kreditimi i ekonomisë ka vijuar me ritme pozitive. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit prill, portofoli total arriti vlerën e 872 miliardë lekëve, në rritje me 13.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.Kjo rritje e kredisë po mbështetet paralelisht tek huadhënia për bizneset dhe familjet. Ritme të larta të rritjes ka shënuar në veçanti, kredia për pasuri të paluajtshme .Nisur nga kjo Banka e Shqipërisë ka vendosur një kufizim për kredidhënien për banesa . Në vendimin e bankës qendrore thuhet se asnjë bankë nuk do të japë kredi për qytetarët që duan të blejnë shtëpinë e parë më shumë se 85% e vlerës së saj.
Ndërsa ata që kërkojnë kredi për të blerë një shtëpi të dytë vlera e kredisë që do mund të marrin kur është në monedhën lekë do të jetë 80% e vlerës së pronës. / abcnews.al