Bankat po tregohen më të të kujdeshme në aprovimin e kredive për blerje banesash dhe më dorëlëshuara në dhënien e kredive për biznesin..Në raportin e fundit Banka e Shqipërisë vëren se në linjë me pritjet e një tremujori më parë, politikat e kreditimit për individët mbetën të shtrënguara.
Shtimi i standardeve u nxit nga rreziku i perceptuar prej bankave për situatën aktuale e të pritur në tregun e banesave. Kufizimet uniforme të vendosura në korrik të vitit 2025 nga Banka e Shqipërisë mbi raportin e kredisë ndaj vlerës së disbursuar dhe mbi raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave në kreditë e reja për pasuritë e paluajtshme, u raportuan po ashtu nga bankat si faktorë që vepruan në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit. Faktorët e tjerë që ndikojnë standardet e kreditimit për individët u raportuan të pandryshuar.Por pavarësisht kësaj të dhënat për periudhën janar- nëntor tregojnë se huaja e dhënë për banesa ka pësuar rritje me mbi 20 % duke arritur në 114.7 miliarde lekë.
Ndërkohë nga ana tjetër bankat lehtësuan standardet, kushtet e termat e kreditimit,në të gjitha kreditë e reja me qëllim mbulimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet dhe financimin e investimevenë çdo segment të biznesit. Perceptimi pozitiv i bankave mbi ecurinë ekonomike të vendit është reflektuar në aprovimin e një numri më të lartë aplikimesh për kredi të bizneseve, në krahasim më një tremujor më parë.
Për 11-mujorin 2025, vlera progresive e kredisë së re arriti në 374.4 miliardë lekë, në rritje me 12.8% krahasuar me 11-mujorin e vitit të kaluar. Në tremujorin e parë të vitit 2026, standardet e kreditimit priten të mbeten të pandryshuara në kreditë akorduar bizneseve të mëdha dhe në kreditë për financimin e investimeve, apo mbulimin e nevojave për likuiditete. Nga ana tjetër, bankat presin të vijojnë me lehtësimin e standardeve të kreditimit në kreditë për biznesin e vogël e të mesëm./abcnews.al


