Qeveria ka prezantuar një instrument të ri bankar me një linjë financimi prej 250 milionë eurosh për të lehtësuar aksesin në kredi për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Ardita Kuçi, në një intervistë për “Money Report” u shpreh se ka pasur një interes të lartë të fermerëve.
“Bujqësia, në raport me sektorët e tjerë është më pak e kredituar por dua të them se kjo linjë e re financimi, miratuar nga Banka e Shqipërisë në janar, ka filluar të ketë aplikimet e para në bankat e nivelit të dytë. Pas miratimit të kësaj linje të re financimi prej 250 milionë euro për bizneset e vogla dhe të mesme, është kredia më e madhe e dhënë ndonjëherë për këto sektorë me normat e interesit preferenciale. Nga sektori bankar dhe bankat e nivelit të dytë na është shprehur se kjo normë interesi kaq e ulët ka qenë e aplikuar vetëm për kreditë për strehim. BSH ka nënshkruar kontratat me bankat e nivelit të dytë, të cilat kanë filluar të lancojnë produktin e tyre. Disa kanë filluar edhe ta marketojnë atë dhe fermerët janë interesuar. Ka një interes të lartë. Kjo nismë ka impakt të konsiderueshëm në fushën e bujqësisë”, u shpreh Kuçi.
Ajo u ndal edhe te garancia sovrane, një skemë që i bashkëngjitet instrumentit financiar të Bankës së Shqipërisë prej 250 milionë eurosh. Sipas saj, nëse fermeri aplikon për këtë instrument të bankës, por edhe për garancinë sovrane, atëherë norma e interesit ulet deri në 2 për qind.
“Instrument i rëndësishëm që i atashohet instrumentit financiar të Bankës së Shqipërisë, pasi nëse fermeri shkon dhe aplikon pranë bankës së nivelit të dytë për një kredi, nëse e bashkon me garancinë sovrane, norma e interesit ulet deri në 2 për qind. Për garancinë sovrane, institucioni që do të shërbejë si para filtër i bankës do të jetë AZHBR.“, shtoi Kuçi.
Kuçi shtoi se garancia sovrane do të jetë gati nga mesi i vitit.
“Garancia sovrane do të jetë gati pas mesit të këtij viti. Jemi duke diskutuar edhe me grupet e interesit të gjitha kriteret dhe karakteristikat që do të bëjnë garancinë sovrane.”, u shpreh ajo./abcnews.al

