Beleri në KQZ/ Avokatja: Pushoni çështjen, tejkalon kompetencat. PS: Është subjekt i dekriminalizimit. Kaso: Ta shkarkojë Qeveria!

schedule11:03 - 5 Korrik, 2024

schedule 11:03 - 5 Korrik, 2024

KQZ do të vendosë këtë të premte për mandatin e Fredi Belerit si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës pasi u dënua me dy vite burg nga Gjykata e Posaçme nën akuzën e shitblerjes së votave.

Në nisje të mbledhjes avokatja Klodiana Gjyzari kërkoi pushimin e procedurës sepse sipas saj tejkalon kompetencat e KQZ.

“Ligji 138 ka parashikuar në nenin 1, 2 dhe 3 ndalesa dhe në nenin 4 procedurën e ndalimit.

 Kjo procedurë është përfunduar nga KQZ, madje KQZ i është drejtuar prokurorit të përgjithshëm për të dhëna më të detajuara. Do të ishim përpara vendimmarrjes së akuzës, në rast se do të kishin rezultuar të dhëna të ndryshme nga ana e subjektit në formularin e vetdeklarimit gjë që në këtë rast nuk ekziston.

Së pari, KQZ nuk ka kompetencën për ta marrë në shqyrtim për arsye sepse nuk ia ka parashikuar as kodi zgjedhor dhe as neni 138, të drejtën që kryesisht të shqyrtojë vlershmërinë e zgjedhjeve, në fazën ku janë tani ku shtetasi Beleri e ka marrë mandatin nga KQZ.

Nuk ka një predispozitë që në këtë fazë të merren iniciativa të tilla nga ana KQZ. Përveç kësaj KQZ mund të kryejë një iniciativ të tillë sipas kodit zgjedhor vetëm bazuar me të dhënat që i vijnë. Asnjë e dhënë jashtë formularit të vetdeklarizimit nuk mund të merren nga KQZ. Në këto kushte e gjithë proceduara është e pavlefshme, ne kërkojmë pushimin e procedurës sepse tejkalon kompetencat“, u shpreh ajo.

Debatet në KQZ:

Eridian Salianji: Përvec personit, i gjithë procesi e bën këtë seancë të rëndësishme. Është proces automatik në momentin që ka dalë vendimi i Apelit. Vetë KQZ në daljen e vendimit të formës së prerë mund ta kishte konstatuar që në atë moment, ligji nuk interpretohet me pjesë. Thelbi është personat e dënuar nuk mund të ushtrojnë funksione publike, KQZ ka gjithë të drejtën të ndërpresë mandatin, dhe të njoftojë organet për shpalljen e zgjedhjeve, këtu jemi vetëm për konstatim fakti, ka vendim gjykate apo jo. Nuk ka rëndësi kush e bëri kërkesën. Vetë ligji i dekriminalizimit i ka dhënë të drejtën të konstatojë mandatin, dhe t’i drejtohet për zgjedhje. Pyetja që unë kam është: Jeni ose jo subjekt i dekriminalizimit, kjo është e vetmja pyetje dhe s’mbetet gjë tjetër të shpallni vendimin.

Ivi Kaso: Meqë po flasim si subjekte, lidhur edhe me komentet e ngritura nga PS, ka një konfuzion mes dispozitave të ligjit te dekriminalizimit dhe atij për organet e qeverisjes vendore. Për PS ndoshta pak diferencë bën, por jo për institucionet. Është subjekt i ligjit të dekriminalizimit, nëse do ngushtohej vetëm këtu hetimi, KQZ duhet të pyeste ka patur detyrim për deklarim, ka patur, ka fshehur gjë? Jo nuk ka fshehur. Në leximin tonë, në ato raste kur në këtë moment kohor, sic edhe Beleri që ka një mandat nga KQZ dhe nuk e ka ushtruar për kokëfortësi të organeve të tjera, pra në këtë moment nëse ka një fakt që nuk del në formular, atëherë ndërhyn KQZ. Në të kundërtën nëse një person i zgjedhur dënohet me vendim të formës së prerë.  Është rasti kur Këshilli i Ministrave, pasi merr vendimin e formës së prerë, vendos ta shkarkojë kandidatin. Në këtë rast PS duhet të vërë fytyrën nëse do që pas vendimit ta shkarkojë, Këshilli i Mandateve duhet ta shkarkojë, këtë maxhoranca nuk do ta bëjë, sepse nuk do ta fusë në afate kohore, ka ngut që ta bëjë. Në cdo rast vlerësoj se KQZ duhet të ndjekë rrugën ligjore.

Klodiana Gjyzari: Për sqarim, shteti bazohet mbi ligje, jo mbi një paragraf për të zgjidhur një situatë që nuk është krijuar nga KQZ. Nuk e pengon dhe nuk I jep të drejtë KQZ të rishqyrtojë një vendim të dhënë në 2023.

Salianji: Nuk janë ezauruar të gjithë procedurat ligjore për ushtrimin e mandatit. Nëse do kishte bërë betimin dhe do kishte nisur ushtrimin e detyrës, mund ta shkarkonte.

Beleri mbërriti në ambientet e KQZ, me furgonin e policisë së burgut të Fierit, ku dhe ai vuan dënimin.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!