KQZ refuzon bashkitë opozitare

schedule15:40 - 25 Qershor, 2019

schedule 15:40 - 25 Qershor, 2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërfillur të gjitha shkresat e kryebashkiakëve opozitarë, të cilët refuzuan dhënien e disa ambienteve për qendra votimi. Në mbledhjen e sotme, KQZ vendosi që të shtunën, t’i marrë në dorëzim me ndihmën e policisë të gjitha ato ambiente.

Dhjetëra letra që kanë mbërritur në protokollin e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga 27 bashkitë e drejtuara nga opozita, kanë rënë në vesh të shurdhët….

KQZ ka vendosur të mos ndryshojë asnjë ambient që ishte parashikuar për qendër votimi në këto bashki, edhe pse kryetarët kanë njoftuar se nuk do t’ia vendosin KQZ-së në dispozicion.

“Të shtunën KQZ do ta marrë në dorëzim rreth 2000 qendra votimi në këto bashki të djathta, dhe, nëse do të ketë rezistencë nga pushteti lokal, do të kërkohet ndihma e policisë”.

KQZ ka nisur këtë të martë shpërndarjen e fletëve të votimit në qarqet e largëta, si Korça, Vlora dhe Gjirokastra.

“Kjo është bërë përmes kamionëve të ushtrisë, të shoqëruar dhe nga policia e shtetit. Qarqet problematike, si Shkodra dhe Kukësi do të shpërndahen në fund”.

Në këtë mbledhje KQZ miratoi përbërjen e grupeve të numërimit. Në rreth 500 tavolina numërimi, Partia Socialiste do të jetë e vetmja që do të ketë numërues.

“Formula ekstra e miratuar nga KQZ për këto zgjedhje, është që grupet e numërimit të bëhen me 4 anëtarë, 2 të propozuar nga PS dhe 2 me short mes aplikuesve të shoqërisë civile”. /abcnews.al