Partia Demokratike ka reaguar pasi KQZ miratoi listën finale të kandidatëve për deputetë të kësaj partie, por la jashtë tepricat. Në reagim, PD deklaron se mosregjistrimi i plotë i listave të koalicionit është një vendim i padrejtë dhe i paligjshëm, “i diktuar nga interesat politike të maxhorancës.”
Sipas PD, synon të imponojë rregulla të tjera, të cilat e bëjnë të pamundur përfaqësimin e plotë dhe të drejtë të të gjitha partive përbërëse të koalicionit të bërë nga PD dhe aleatët.
Gjithashtu, PD akuzon se rregullat e cilësuara si të njëanshme “synojnë që të lënë të lënë të papërfaqësuara parti të cilat përfaqësojnë shtresa të ndryshme shoqërore dhe komunitete të caktuara, veçanërisht minoritetet.”
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE
“Vendimi i sotëm i KQZ për mosregjistrimin e plotë të listave të koalicionit është një vendim i padrejtë dhe i paligjshëm, i diktuar nga interesat politike të maxhorancës. Pasi ndryshoi rregullat e lojës në mënyrë të njëanshme, maxhoranca synon të imponojë rregulla të tjera, të cilat pamundësojnë përfaqësimin e plotë dhe të drejtë të të gjitha partive përbërëse të koalicionit tonë. Këto rregulla të njëanshme synojnë që të lënë të lënë të papërfaqësuara parti të cilat përfaqësojnë shtresa të ndryshme shoqërore dhe komunitete të caktuara, veçanërisht minoritetet.
Asnjë vendimarrje e tillë nuk ka për të penguar koalicionin tonë që të garojë me potencialin e tij të plotë, njerëzor dhe programor. Kjo vendimarrje, si të gjitha vendimarrjet e padrejta, do të ankimohet menjëherë nga ana jonë në të gjitha shkallët ankimore. Asgjë nuk do të na ndalojë të sjellim ndryshimin në Shqipëri me njerëzit tanë të mrekullueshëm, që kanë nevojë dhe e duan kaq shumë ndryshimin! Ne do ta bëjmë të mundur këtë në datën 25 Prill me ndihmën e të gjithë shqiptarëve.”
Kujtojmë se pas debateve në mbledhje, KQZ vendosi që të miratonte listën vetëm me 153 kandidatë për zgjedhjet dhe jo 231 që kishte depozituar selia blu duke i nxjerrë jashtë garës 78 kandidatë për deputetë.
KQZ kishte çuar në Elbasan 6 kandidatë më tepër, në Dibër 3, Fier 6, Berat 6, Durrës 6, Korçë 9, Kukës 6, Lezhë 3, Shkodër 9, Tiranë 9, Vlorë 6 dhe Gjirokastër 9 emra më shumë, raporton gazetarja e ABC, Esiona Konomi. Nga verifikimet që ka bërë në kuadër të dekriminalizimit, KQZ deklaron se i ka rezultuar se asnjë kandidat i PD nuk ka ndalim. sb/abcnews.al/