“KQZ mori vendim të nxituar”, Topollaj: Na akuzuan si tradhtarë në zgjedhjet e 2019-ës, sot marrin fonde

schedule17:35 - 10 Shkurt, 2023

schedule 17:35 - 10 Shkurt, 2023

KQZ ka pranuar t’u japë fonde partive opozitare ndonëse, sipas Kodit Zgjedhor, ata nuk duhet të merrnin për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve të vitit 2019. Burime pranë KQZ thanë për ABC News, se me që zgjedhjet e 2019-ës, u shoqëruan nga një klime jo tipike politike, atëherë mund të gjendet një zgjidhje.

Në këtë mënyrë, nuk do të merret parasysh rezultati i zgjedhjeve bashkiake të vitit 2019 por të vitit 2015. Këtë vendim e ka komentuar anëtari i Bindjes Demokratike, Fabian Topollaj gjatë një interviste për Abc News, partia e të cilit vendosi që të garojë në zgjedhjet e kaluara, që PD dhe LSI bojkotoi.

Sipas tij, KQZ është nxituar në marrjen e këtij vendimi duke marrë parasysh edhe faktin që ende gjykata nuk ka “folur” për legjitimitetin e PD-së. Sipas tij, partitë ende nuk janë regjistruar për zgjedhje dhe se ky fond “mund të shpërndahet për partitë politike vetëm në çastin që janë futur në garë”.

“Kodi Zgjedhor ka zgjedhur duke marrë parasysh hallin e opozitës kur nuk mori pjesë në zgjedhje. Parimi është që partitë marrin financim dhe në varësi të rezultatit, atyre iu ndryshohet ky fond nëse kanë rezultat më të mirë apo më të dobët. Fondi paraprak është në përputhje me rezultatin në zgjedhjet e fundit.

Opozita nuk mori pjesë në zgjedhjet e fundit, bënë sikur shpikën rrotën për të rrëzuar qeverinë. Në kushte normale, nuk duhet të përfitonin fonde edhe për këtë arsye, duke ditur këtë situatë palët politike, patën një dispozitë tranzitore që vetëm në zgjedhjet e radhës nuk duhet të merret parasysh rezultati i zgjedhjeve të 2019-ës por i katër viteve më parë kur PD mori pjesë në zgjedhje.

Me siguri ky ka qenë artifici ligjor për PD sepse ka qenë e njëjta KQZ dhe i njëjti kryetar që nuk ka pranuar të përcaktojë anëtarët e KZAZ-ve me arsyetimin se cila prej PD do të njihet zyrtarisht për të drejtat që të jep ligji. Nuk jam në dijeni të vendimmarrjes së KQZ. Kam përshtypjen se ka përcaktuar vetëm sot fondin që duhet të marrë secila parti dhe duhet t’i referohesh zgjedhjeve të fundit të të njëjtit lloj.

Ky fond mund të shpërndahet për partitë politike vetëm në çastin që janë futur në garë. Ne nuk kemi bërë ende regjistrimin e partive politike në zgjedhje dhe kjo duhet të jetë një vendimmarrje paraprake që KQZ përcakton nivelin e fundit për secilën parti dhe të ketë disa kushte të tjera që ky fond të shpërndahet.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe faktin që Bindja Demokratike u cilësua si tradhtare gjatë kohës kur vendosi të hynte në zgjedhjet e 2019-ës.

“Bindja u anatemua pse hyri në zgjedhje në 2019-ën, u quajt i paligjshëm regjistrimi sepse u regjistruam sapo kishim marrë vendimin e gjykatës për t’u regjistruar ndërkohë të njëjtët njerëz që na akuzonin për shkelje të rëndë ligjore, e marrin regjistrimin si precedente të vendimit të Zhukrit për njohjen e rithemelimit të PD.

Atëherë Bindja kishte regjistrimin për herë të parë si parti, ndërsa sot dy copat e PD-së s’e kanë konfliktin për regjistrimin e PD në zgjedhje. PD ka një problem tjetër se kush është kryetari i saj. Politika shqiptare, edhe opozita në këtë rast, nuk i thotë gjërat mbi bazën e një linje logjike por mbi hallin e ditës.“, tha ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!