Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzon të paguajë të plotë kompaninë postare DHL, për transportin e materialeve zgjedhore të Diasporës.
Edhe pse kontrata e nënshkruar me të, parashikon 9.2 milionë euro për shpërndarjen e fletëve të votimit në 85 shtete të botës, kryemisioneri Ilirjan Celibashi nuk pranon të japë paratë, pa marrë fatura të detajuara për çdo shtet sëbashku me një kopje të firmave të emigrantëve që kanë tërhequr zarfet.
Në shkresën dërguar në KQZ, kompania postare i ka ndarë faturat në muaj me dërgim / kthim ndërsa afati për të bërë pagesën është deri në datën 2 korrik. Por çfarë ndodh tani?
Celibashi, i cili në fillim siguroi se DHL ishte kompania më e mirë postare, dhe doli garant për procesin, shtyu njëherë votat e Greqisë, duke i dhënë shkas PD të akuzojë palën tjetër fituese, për manipulim nëpërmjet kompanisë
Kurse tani, po tregon paqartësi. A e bëri punën si duhet kompania? Apo Celibashi po jep një tjetër asist drejt opozitës?
Megjithatë kjo nuk e ndryshon faktin se afro 200 mijë shqiptarë të cilët jetojnë dhe punojnë në mbarë botën, ushtruan të drejtën e votës në 11 maj, duke shënuar një sukses jo vetëm kushtetues por edhe politik.