KQZ i jep mandatin e deputetit, Plarent Ndreca zëvendëson Arben Ahmetajn në Kuvend

schedule11:23 - 15 Janar, 2024

schedule 11:23 - 15 Janar, 2024

Plarent Ndreca do të jetë deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë, duke zërë vendin e Arben Ahmetajt. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi mori vendimin për t’i dhënë mandatin ndërsa më pas ai do të betohet në seancën plenare. Kjo lëvizje vjen pasi Dallëndyshe Bici refuzoi mandatin e deputetes së PS-së.

“Pas verifikimeve të kryera me kandidatin e radhës Plarent Ndreca, vendos dhënien e mandatit deputetit të kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të radhës të listës shumëemërore të PS-së për zonën zgjedhore qarku Tiranë, zotit Plarent Ndreca.”, theksoi Celibashi në mbledhjen e sotme.

Pak ditë më parë, Dallëndyshe i ktheu përgjigje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, se nuk do të pranojë plotësimin për vakancën e krijuar pasi Arben Ahmetaj e humbi mandatin e deputetit.

“Ju bëj me dije se nuk do të vijoj procedurat ligjore përkatëse për marrjen e mandatit të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, për shkak të angazhimit tim në detyrën funksionale që ushtroj aktualisht në institucion qendror”, thuhej në shkresën e Bicit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!