Vettingu, Kolegji i Posaçëm vulos shkarkimin e prokurorit Çlirim Shahini

schedule18:54 - 15 Tetor, 2020

schedule 18:54 - 15 Tetor, 2020

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin për shkarkimin e drejtuesit të Prokurorisë së Lushnjes, Çlirim Shaninit.

Shahini u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 26 mars të vitit të shkuar, dhe vendimi ishte ankimuar, por edhe KPA vendosi po njësoj.

Njoftimi:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Rezarta Schuetz relatore, Ardian Hajdari, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.28/2019, datë 24.05.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Çlirim Shahini, kundër vendimit nr. 124, datë 26.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

1-Lënien në fuqi të vendimit nr. 124, datë 26.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Çlirim Shahini.

2-Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Përse u shkarkua Prokurori Çlirim Shahini:

Çlirim Shahini, i cili deri para shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ishte Drejtues i Prokurorisë së Lushnjës, u gjet nga hetimi me kontakte të papërshtatshme dhe me pasuri të fshehur.

Prokurori Çlirim Shahini u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi hetimi ndaj tij zbuloi se ai kishte përdorur makinën e një personi të dënuar dhe të hetuar edhe nga vetë ai dhe se kishte fshehur faktin se një ndërtesë në pronësi të tij në Sarandë përdorej si hotel gjatë sezonit turistik.

Vendimi i zbardhur tregon se Shahini nuk e kishte deklaruar asnjëherë funksionin e ndërtesës, ndërsa biznesi nuk ishte regjistruar as në Qendrën Kombëtare të Bizneseve (QKB). Komisioni po ashtu gjeti se prokurori nuk kishte burime të ligjshme për ndërtimin e godinës.

Prokurori dhe njëkohësisht drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjës Çlirim Shahini u gjet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me probleme edhe në kriterin e pastërtisë së figurës dhe pasurisë, ndërkohë që një denoncim nga publiku nxori në pah mangësi në kryerjen e hetimeve.

Trupa gjykuese e KPK e përbërë Brunilda Bekteshi kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe Suela Xhegu anëtare, identifikuan gjatë hetimit administrativ një kontakt të papërshtatshëm të prokurorit Shahini me një person të proceduar disa herë për vepra të ndryshme penale dhe deklarime të rreme e të pamjaftueshme të pasurisë.

Shahini i kundërshtoi gjetjet e KPK dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë, por më datë 26 mars Komisioni vendosi shkarkimin e tij për cënim të besimit të publikut tek drejtësia.

Çlirim Shahini e ka nisur karrierën në sistemin e Prokurorisë fillimisht si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai është emëruar prokuror në Sarandë në vitin 2004 dhe e ka ushtruar funksionin atje deri në vitin 2016, ku me dekret të Presidentit të Republikës u transferua si drejtues i Prokurorisë së Lushnjës.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!