Monaco ka zhvilluar një sezon shumë të mirë deri tani. Ekipi i drejtuar nga Niko Kovac renditet në vend të tretë në Ligue 1 dhe është pranë arritjes së objektivit Champions League për sezonin e ardhshëm.
Sot zhvillohet finalja e Kupës së Francës ndaj PSG-së së Mauricio Pochettinos, sfidë që nis prej orës 21:15. Monaco nuk e fiton këtë trofe prej 30 vitesh dhe sonte do të japë gjithçka për të lumturuar tifozët.
Trajneri kroat i ekipit nga Principata, analizon për mediat duelin ndaj kampionëve në fuqi të Francës. “Kemi luftuar në pesë ndeshje për të mbërritur në këtë finale. Të dyja skuadrat duan ta fitojnë këtë ndeshje, pra duan trofeun. Pres një ndeshje të bukur.
Të gjithë e kemi të qartë vështirësinë e ndeshjes ndaj një skuadre si PSG, por edhe ne kemi kualitet dhe besojmë te cilësitë tona. Jemi të përqendruar në maksimum dhe gati për të zbritur në fushë“, deklaroi Niko Kovac. /abcnews.al