Kotzias do të vizitojë përsëri Shkupin

schedule15:14 - 19 Shkurt, 2018

schedule 15:14 - 19 Shkurt, 2018

Ministri i Jashtëm i Greqisë së shpejti do të udhëtojë për në SHkup për të dorëzuar draft-marrëveshjen për zgjidhjen e çështjes së emrit. Ndërsa kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev shpreson për një zgjidhje përfundimtare deri në korrik.

Ministri i Jashtëm i Greqisë së shpejti do të vizitojë përsëri Shkupin, për të sjellë draft marrëveshjen të cilën e ka përgatitur qeveria e Athinës. Kështu të paktën raporton televizioni grek Alfa që citon burime zyrtare. Nikos Kotzias pritet të vizitojë Shkupin në ditët në vijim me fluturimin e parë në aeroportin i cili do të mbajë emrin e ri “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit”.

Shefi i diplomacisë së jashtme do të ketë me vete dhe propozimin e Greqisë, në të cilin sipas burimeve të televizionit , në 24 orët e fundit po rregullohen detajet. Në draft-marrëveshjen nga ana greke, përveç emrit, do të përfshihen dhe ndryshimet në Kushtetutë të cilat Athina i kërkon nga Shkupi për “heqjen e qëndrimeve irredentiste”. “Kur do të arrihet marrëveshje, ajo do të jetë e plotë”, deklaroi për televizionin Alfa, funksionari i Qeverisë së Greqisë.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Shkupi shpreson se deri në korrik do të zgjidhet kontesti për emrin me Athinën. Kështu u shpreh kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për radion austriake ORF, që raportohet dhe nga Reuters. “Besoj se do t’i përfundojmë me sukses negociatat deri në Samitin e NATO-s në korrik”, tha Zaev. Shefi i qeverisë së Shkupit thekson se inkuadrimi i Maqedonisë në NATO është më se i qartë nëse gjendet zgjidhje për kontestin. Ndërkaq, Samiti i Aleancës së Atlantikut të Veriut do të mbahet me 11 dhe 12 korrik në Bruksel./abcnews.al