Kotzias dhe Dimitrov takohen më 25 Prill

schedule16:40 - 21 Prill, 2018

schedule 16:40 - 21 Prill, 2018

25 Prilli është data për takimin e radhës mes ministrit maqedonas Dimitrov dhe atij grek Kotzias në Vjenë, për çështjen e emrit. Lajmi është pulikuar nga mediat maqedonase, të cilat shtojnë se në takim do të jetë i pranishëm dhe ndërmjetësuesi Metju Nimiç.

Sipas mediave maqedonase në 25 Prill do të jetë takimi i radhës në Vjenë mes ministrit të Jashtëm maqedonas, Nikolla Dimitrov dhe homologut të tij grek Nikos Kotzias për çështjen e emrit. I pranishëm do të jetë dhe ndërmjetësuesi Metju Nimiç. Dhe pse data nuk është konfirmuar ende zyrtarisht, ky takim do t’i paraprijë atij tashmë të konfirmuar me 3 dhe 4 Maj në Selanik.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Dimitrov u shpreh se Shkupi është i angazhuar për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare. Dhe nëse kjo zgjidhje arrihet atëherë do të jetë një fitore dhe për Athinën e rajonin. Por aktualisht asnjë rezultat i ri konkret në drejtim të zgjidhjes së kontestit me emrin nuk është arritur,ndërkohë që pala greke mbetet e prerë se marrëveshje mes Shkupit e Athinës për emrin do të arrihet vetëm në rast se Shkupi pranon që të ndryshojë Kushtetutën. Zv/ministri i Jashtëm grek, Jorgos Katrugalos tha se zgjidhja e kontestit varet nga pala maqedonase.

Ai shtoi se zgjidhja duhet të jetë e atillë që të mos ketë më problem mes dy vendeve në të ardhmen, e për këtë arsye duhen bërë ndryshime kushtetuese nga pala maqedonase. Nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë atëherë nuk do të mund të ketë një marrëveshje theksoi ai.
Kryetari i Kuvendit grek, Nikos Vutzis theksoi se në rast se zgjidhja do të jetë në korniza të qëndrimeve greke, ajo do të ketë përkrahje të shumicës në parlamentin grek pasi sipas tij zgjidhja është në interes të Greqisë.

Ditë më parë, Kotzias tha se Shkupi nuk do të bëhet anëtare e NATO-s në Korrik, pasi edhe në rast se arrihet marrëveshje do të nevojiten të paktën 4 muaj për referendum dhe ratifikim në Kuvend. Ndërsa kryeministri Zaev u shpreh optimist se vendi do të anëtarësohet në NATO, pasi çështja e emrit do të zgjidhet deri në Maj dhe se zgjidhja do të gjendet edhe për referendumin e ratifikimin./abcnews.al