Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotcias e ka mbyllur vizitën në Shkup me takimet me kryeministrin Zaev dhe kreun e BDI, Ali Ahmeti. Ndërsa Zaev ka bërë thirrje që zgjidhja e kontestit të emrit të mos vonojë, Ahmeti ka theksuar se emërtimi i ri nuk duhet të përmbajë termin “sllav”.
Maqedonia dhe Greqia duhet të marrin vendime të rëndësishme dhe të arrijnë kompromis, në mënyrë që të ecin të sigurta drejt së ardhmes. Ka qenë ky qëndrimi që kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka shprehur në takimin me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Kotcias, që ka patur në fokus çështjen e emrit. “Duhet të jemi të vendosur dhe të bëjmë hapa që do të na çojnë më afër zgjidhjes së çështjes së vetme të hapur midis dy vendeve tona”, ka thënë Zaev. Kotcias është pritur në një takim edhe nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ka deklaruar se partia e tij është e interesuar për zgjidhjen e kontestit dypalësh, por ka nënvizuar se disa propozime të palës greke janë të papranueshme.
Ahmeti: “Ne mendimet tona i kemi bërë publike. Nuk pajtohemi që kompromisi që do të arrihet të jetë Sllavo Maqedonia apo Republika Kombëtare Maqedonase. Me çdo kompromis që do të arrihet mes palëve ne do të pajtohemi”
Kotcias ka vijuar takimet me kryetarin e Parlamentit Talat Xhaferi dhe më pas me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickovski. Ky i fundit, sipas mediave maqedonase, ka shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit në Greqi, të cilat nxisin urrejtjen ndaj Maqedonisë. Gjithashtu, kreu i opozitës ka theksuar se zgjidhja për të cilën negocion pala maqedonase duhet të marrë parasysh interesat kombëtare./abcnews.al