GJIROKASTËR- Kostumet popullore të Gjirokastrës janë të njohura për bukurinë, detajet e rafinuara, ngjyrat e gjalla që reflektojnë jo vetëm traditat, por edhe kulturën e zonave të ndryshme të qarkut jugor.
Stavri Çati është një ndër studiuesit me një kontribut gati 60 vjeçar në fushën e etnografisë. Artisti dhe piktori i njohur thotë se zonat e Gjirokastrës ofrojnë një pasuri të jashtëzakonshme sa i takon veshjeve karakteristike që janë sa të bukura, por edhe aq të veçanta nga njëra-tjetra.
Për vite me radhë, mjeshtri i njohur gjirokastrit punon në studion e tij modeste në ambientet e banesës së tij, ku sot ndodhen me dhjetëra realizime në pikturë, ku një vend të veçantë e të rëndësishëm i ka kushtuar edhe kostumeve të 7 zonave të ndryshme etnografike që ka Gjirokastra.
Çati thotë se për fat të keq, kostumet popullore nuk po realizohen në mënyrën e duhur dhe jo pak herë elementët përbërës të një kostumi ngatërrohen me atë të një zone tjetër.
Studiuesi i veshjeve thotë se evoluimi i kohës ka sjellë ndryshime tek veshjet, por duhet të dihet si dallon një veshje skenike nga ajo tradicionale.
Lidhur mbi realizimin e një kostumi, Çati ka rezervat e veta pasi thotë se ato duhet të punohen me dorë dhe jo me atë çfarë ofron sot teknologjia moderne.
Shumë të rinj kanë qëndruar dhe kanë mësuar prej mjeshtrit mbi etnografinë e shumica e tyre sot kanë vijuar të studiojnë pranë arteve figurative në kryeqytet.
Artisti i njohur gjirokastrit gjatë gjithë jetës së tij i është përkushtuar vlerave, traditës, kulturës e arkitekturës së qytetit të gurtë, duke sjellë edhe problematikat e ndryshme që hasën.
Kontributi I tij në studimin e etnografisë është i njohur jo vetëm në jug të vendit, por në mbarë vendin e madje edhe në shtetin fqinj të Greqisë./abcnews.al