TIRANË- Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se qeveria ka në dispozicion mbi 50 milionë euro për përballimin e situatës së krijuar nga emergjencat civile dhe dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.
Sipas Malajt, në kuadër të programit të emergjencave civile janë parashikuar 30 milionë euro si shpenzime kapitale, të dedikuara për financimin e objekteve dhe projekteve që lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore.
Ai sqaroi se fondi i kushtëzuar për emergjencat civile, i menaxhuar nga Mbrojtja, kap vlerën rreth 10 milionë euro.
Gjithashtu, Malaj u shpreh se në dispozicion është edhe fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, me një vlerë prej 25 milionë euro, i cili do të aktivizohet në bazë të vlerësimeve të dëmeve në terren.
Ministri Malaj bëri me dije se ekziston edhe një fond i posaçëm për digat dhe rezervuarët, me vlerë rreth 5 milionë euro.
“Në programin e emergjencave civile kemi parashikuar 30 milionë euro, që janë shpenzime kapitale për programin e emergjencave civile dhe ka të bëjë me financimin e objekteve dhe projekte, të cilat lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore.
Vlera që kemi alokuar për këtë program është 15 milionë euro. Kemi planifikuar fondin e kushtëzuar për emergjencat civile që është rreth 10 milionë euro, menaxhohet nga Mbrojtja.
Kemi dhe fondin rezervë të Këshillit të Ministrave, në vlerën 25 milionë euro, e cila do vendoset në dispozicion në varësi të vlerësimeve që do të bëhen në varësi të dëmeve të shkaktuara. Kemi fondin për digat dhe rezervuarëve.
Ky fond është rreth 5 milionë euro. Në total, nëse do të bënim një vlerësim të fondeve që kemi në dispozicion vlera shkon mbi 50 milionë euro, që janë të disponueshme për situatën e krijuar aktualisht”, tha ai./abcnews.al


