Procesi i fiskalizimit synon vërtetimin e transaksioneve nëpërmjet lëshimit të faturave elektronike sipas sistemit të ri. Për të lëshuar fatura elektronike, biznesi duhet të blejë një kasë të re të teknologjisë moderne, të përshtatë atë ekzistuesen ose të përdorë zgjidhjet software, duke investuar edhe në blerjen e një kompjuteri, instalimin e linjës së internetit dhe printerit.
Çdo faturë, që do të lëshohet, do të jetë e nënshkruar elektronikisht dhe për këtë, biznesi duhet të pajiset me certifikatën të lëshuar nga AKSHI. Ky dokument do të rinovohet çdo vit dhe do të jetë i integruar, si te pajisja fiskale, ashtu edhe te programi software. Tarifa vjetore e nxjerrjes së certifikatës elektronike është 4,000 lekë.
Kontabilisti Armand Mala llogarit se kostoja e fiskalizimit do të varet nga lloji i aktivitetit të biznesit (shërbim, tregti, prodhim, me pika shitje, pa pika shitje, etj.). Referuar çmimeve të tregut, kontabilisti Mala thotë se për biznesin e vogël që zgjedh të blejë kasë fiskale të re, kostoja e fiskalizimit do të jetë rreth 300 euro. Për bizneset e shërbimit, kostoja fillestare e fiskalizimit llogaritet nga 1,200 deri në 1,300 euro, ndërsa shpenzimet më të mëdha do të jenë për prodhuesit, për shkak të tarifave më të larta të zgjedhjeve software.
“Kostoja më e ulët është për biznesin e vogël, që do të paguajë 4,000 lekë në vit për nxjerrjen e certifikatës elektronike dhe 230- 275 euro (për kasën me vlerë 275 euro ka të përfshirë edhe çmimin e kartës SIM të internetit që kushton 15 euro/vit), në rast se do të zëvendësojë kasën elektronike me një pajisje tjetër që përshtatet me kërkesat e fiskalizimit, si dhe 40 euro/vit tarifa e mirëmbajtjes. Kjo kosto është për ato njësi biznesi që shesin tek konsumatori final, vetëm me para në dorë.
Për kategori të tjera biznesesh, kostoja është më e lartë. P.sh. për një kompani shërbimi, kostoja do të ishte: 4,000 lekë certifikata elektronike dhe 140-200 euro zgjidhja software. Kjo është në ato raste kur zgjidhja software nuk është një program kontabiliteti, por i shërben faturimit sipas procesit të fiskalizimit. Nëse do të trokasim në dyert e kompanive që ofrojnë programe për mbajtjen e kontabilitetit, në këtë rast përditësimi i programit, që është i domosdoshëm, do të kushtojë 32,000 lekë dhe shërbimi 29,000 lekë (këto janë çmime faktike të marra nga kompanitë në treg).
Përpos më sipër, do të nevojitet internet me kosto mujore 2,500-3,000 lekë/muaj, si dhe një printer dhe kompjuter. Në rast se kjo kompani lëshon shumë fatura në ditë. Përveç printerit të zakonshëm, do të nevojitet dhe një printer termik 130-150 euro (për të ulur kostot e printimit). Çmimi i një kompjuteri minimalisht kushton 200 euro. Në total, kostoja me çmimet minimale do të jetë rreth fashës së 1,200 – 1,300 euro si investim fillestar.
Kosto të tjera do të shfaqen nëse je kompani prodhuese apo restorant (ku nevojiten fatura për produktin final), zgjidhja software do të jetë më e shtrenjtë se ajo për bizneset e shërbimit apo tregtisë. P.sh. në njërin prej ofertuesve, zgjidhja software kushton 140 euro për kompani shërbimi dhe 265 euro për kompani prodhimi.
Nëse në zyrën e financës, një kompani prodhuese, nuk ka vetëm një të punësuar, por disa, për secilin prej tyre nevojiten kosto ekstra për t’i mundësuar përshtatshmërinë me fiskalizimin. P.sh. një prej ofertuesve të shërbimit, do t’u tarifojë 32,000 lekë për secilin kompjuter që do të përditësojë dhe 29,000 lekë për shërbimin. Një problem i procesit është se ofertuesit e programeve të kontabilitetit nuk mundësojnë ndërlidhjen me zgjidhjet software të ofertuesve të tjerë, ose e mundësojnë me çmime shumë të larta.
Nëse kompania zotëron disa pika shitje, në adresa të ndryshme, logjikshëm për secilën adrese, do të nevojiten kosto ekstra. Nëse ka agjente shitje derë më derë, secili prej tyre do të jetë një qendër kostoje në kuadër të fiskalizimit. Në këtë rast se sa kushton fiskalizimi, nuk mund të thuhet një shifër, por sa më e sofistikuar struktura e shitjes, aq më shtrenjtë do të kushtojë”.
Regjimi i ri, përveç dërgimit të të dhënave të transaksioneve në kohë reale në serverin e tatimeve, mundëson edhe dhënien e disa informacioneve më shumë nga biznesi, siç janë elementet e sigurisë, duke nisur që nga kodi i pajisjes që po përdor, i prodhuesit, NIPT-i i bizneseve etj.
Çfarë është më e leverdishme për biznesin e vogël
Për biznesin e vogël, që është “Thembra e Akilit” të fiskalizimit, si kompanitë e tregtimit të kasave dhe ato të programeve software rekomandojnë se më e leverdishme është të mbajnë kasat aktuale, duke i përshtatur për procesin e ri. Nëse një biznes i vogël llogarit të përshtatë kasën ekzistuese, referuar çmimeve maksimale të tregut, kostoja do të jetë rreth 230 euro (120 euro përshtatja e kasës vetëm vitin e parë.
Kosto vjetore 32 euro certifikata elektronike + 50 euro mirëmbajtja + 15 euro karta SIM e internetit) dhe nëse do të blejë kasë të re rreth 350 euro (240 euro blerja e kasës së re bashkë me kartën SIM të internetit vitin e parë. Kosto vjetore 32 euro certifikata + 50 euro mirëmbajtja e kasës).
“Përshtatja e kasave me procesin e fiskalizimit kushton nga 100 deri në 120 euro. Kasa e re kushton 220-240 euro për klientët që lënë kasën e vjetër, pra çmimi është preferencial nga 279 euro që shiten në treg. Brenda këtij çmimi është përfshirë edhe tarifa prej 15 euro/vit për kartën SIM të internetit. Prandaj ju rekomandojmë bizneseve të vogla, që kryejnë transaksione me para në dorë, se për ta është më ekonomike përshtatja e kasës ekzistuese.
Edhe tarifa e internetit është më e lirë, ndërsa për programet është rreth 10 herë më e lartë. Edhe kostoja e mirëmbajtjes së kasës është më e ulët se ajo e mirëmbajtjes së programeve software. Mirëmbajtja e kasës është 50-60 euro në vit, ndërsa për programin është më e lartë”, nënvizoi znj. Myrvete Pazaj, drejtoresha ekonomike e kompanisë Daisy ETM Electronics, që ofron programin e fiskalizimit I-Cash.
Cilat kasa përshtaten për fiskalizimin
Përshtatja e kasës e llogaritur me çmimet minimale është deri 138 euro. Drejtor i Përgjithshëm i A.E. Distribution sh.p.k, z. Bledar Balla, i cili zotëron pjesën më të madhe të kasave që përdoren nga biznesi, garanton përshtatjen e tyre, pavarësisht vitit kur është blerë pajisja fiskale.
“Të gjitha kasat e kompanisë AED janë të certifikuara dhe të azhurnueshme për zbatimin e procesit të fiskalizimit. Çdo kasë, pavarësisht vitit se kur është blerë, mund të vazhdojë të përdoret edhe për lëshimin e faturave elektronike. Kostoja për adoptimin e kasës me sistemin e ri varion nga 50 euro deri në 100 euro.
Subjektit gjithashtu do t’i aktivizohet automatikisht falas llogaria personale në platformën e kasave AED të ndërtuar për përdoruesit e kasave AED, ku subjekti mund të shikojë, anulojë apo të korrigjojë çdo shitje me kasë. Në këtë platformë, ka akses edhe në modulin e tij SelfCare, ku mund të gjenerojë të gjitha shërbimet e fiskalizimit, faturë shoqërimi, e-Fatura. Këto të dhëna, ai mund t’i eksportojë në format excel ose t’i lidhë me sistemin e kontabilitetit. Në rastin kur një subjekt ka nevojë për një sistem të mirëfilltë menaxhimi dhe fiskalizimi, mund të porosisë atë falas në platformën cloud: www.aedcloud.al
Me ndryshimet ligjore, kostot e mirëmbajtjes së kasave janë reduktuar, pasi nuk do të jenë më në bazë të memories fiskale. Kostoja e mirëmbajtjes së kasave, duke përfshirë edhe faturën vjetore të internetit, është 5 mijë lekë/vit. Kostot e mirëmbajtjes së kasave në raport me zgjedhjet software janë më të ulëta. Për zgjedhjet software, përfshihet edhe blerja e kompjuterit, ndërrimi i tij në rast dëmtimi, tarifa vjetore e internetit prej 240 euro/vit.
Përveç kësaj, kompania jonë ofron edhe zgjidhjet software në cloud dhe subjektet mund ta porosisin online. Zgjidhjet software ofrohen falas për të gjithë fashat e bizneseve. Edhe në rastin kur subjektet nuk do të zgjedhin të përdorin më pajisjen fiskale, për procesin e fiskalizimit, programet software do të ofrohen falas, që do të jenë pa limit faturimi dhe për të gjitha llojet e faturave. Subjektet do të paguajnë vetëm koston e trajnimit dhe të mirëmbajtjes së programit në vlerën e 5 mijë lekë”.
Kërkesa për zgjidhje software
Kompanitë e certifikuara për ofrimin e zgjidhjeve software mbi të cilat do të zbatohet fiskalizimi, pohojnë se kërkesa e biznesit për to është e lartë. Arsyet e shtimit të kërkesës kanë të bëjnë edhe me mosshtyrjen e afatit për nisjen e fazës së dytë dhe ngadalësimi i portalit qeveritar pa pagesë SelfCare për një numër të lartë faturash.
Administratori i Image & Communications Development sh.p.k. (Dev.al), Igli Gjelishti, tha se deri tani, për shitjen e zgjedhjeve software devPOS janë finalizuar 1 mijë kontrata.
“Deri pak kohë më parë nga bisedat me subjektet, krijohej ideja që ata prisnin një shtyrje tjetër të afateve, por duke qenë se nuk pati vendim shtyrje dhe faza e parë vijoi normalisht, dhe tani jemi shumë pak ditë nga afati i radhës për faturat B2B, kemi vërejtur 10 ditët e fundit një shtim shumë të lartë të kërkesës.
Nga nisja e procesit të fiskalizimit, deri tani, kemi lidhur rreth 1 mijë kontrata, nga të cilat, 710 janë aktive dhe 300 të tjera, në proces aktivizimi, ndërsa janë rreth 1 mijë kërkesa të tjera të ardhura vetëm javën e fundit, në proces finalizimi. Numri më i lartë i kontratave të lidhura, rreth 40% e tyre, është realizuar 10 ditët e fundit. Numri i faturave të lëshuara nga bizneset, që kanë lidhur kontratë me kompaninë, deri tani është mbi 238 mijë”.
Për sistemin self-care, administratori i kompanisë devPOS thotë se ishte një zgjidhje shumë e mirë për fazën tranzitore që u përdor këta 6 muaj nga subjektet, por tashmë, vërejmë se të gjithë po kërkojnë të kenë një zgjedhje të tyre software, për një proces sa më të shpejtë dhe efikas. “Ndonëse portali self-care do të mbetet i aksesueshëm pas 1 korrikut për personat fizikë të vetëpunësuar të vetëm, pa TVSH dhe me një adresë biznesi, ne po kemi shumë kërkesë edhe nga kjo kategori subjektesh.
Arsyeja, mendoj se ka lidhje me faktin që portali self-care, ndonëse mbulon të gjitha kërkesat e procesit, nuk ofron komoditetin dhe shpejtësinë e një zgjidhjeje software. Mendoj se është e vështirë që të mund të përdoret nga subjekte që bëjnë shumë shitje në ditë, ndonëse ato të plotësojnë kriteret ligjore për ta përdorur atë. Sistemi ynë ofron ndërfaqe të veçantë për baret dhe restorantet, për marketet, për farmacitë, etj., gjithmonë duke ruajtur dhe duke respektuar të gjitha kriteret ligjore, dhe ky optimizim, së bashku me kostot e ulëta, e bën të preferueshëm sistemin tonë”.
Edhe zv.administratori i kompanisë së mirëmbajtjes të programit Financa-5, Gentian Qiriazi, pohon se nga nisja e fiskalizimit, deri tani janë përditësuar 600-700 programe për procesin e ri. “Aktualisht, interesimi i bizneseve është i lartë, pasi shumë prej tyre mendonin se procesi do të shtyhej dhe për këtë arsye, kanë ardhur të gjithë pak javë para nisjes së fazës së dytë. Për këtë arsye, ne kemi rritur edhe numrin e stafit në funksion të biznesit”, tha z. Qiriazi.
Përfaqësuesja e kompanisë Daisy ETM Electronics, znj. Myrveta Pazaj, thotë se një nga hallkat e procesit që po ju merr më shumë kohë bizneseve, është nxjerrja e certifikatës elektronike. “Subjektet kanë filluar të interesohen për paketat dhe ofertat që do të zgjedhin, por shumë prej tyre shprehen se po përballen me vonesë për nxjerrjen e certifikatës elektronike.
Shumë prej tyre kanë harruar kodin e aplikimit në e-Albania, dhe rinisja e procesit i vonon për nxjerrjen e certifikatës. Fluksi më i lartë i kërkesës është nga bizneset e mëdha, ndërsa biznesi i vogël është më pak i interesuar, pasi për ta ka ende kohë”.
Administratori i kompanisë devPOS, z. Gjelishti, pohon se kërkesa më e lartë, deri tani, është nga biznesi i madh me xhiro mbi 14 mln lekë në vit dhe në shifër pothuajse të njëjtë edhe nga biznesi mikro, me xhiro deri në 2 mln lekë në vit. “Për këtë shoh dy arsye: e para, biznesi i madh është ai që punon më shumë me B2B dhe B2G që janë dy fazat e para të fiskalizimit.
Si biznes mikro, ne klasifikojmë shumicën e bizneseve të reja, që nuk mund të parashikojnë që sapo regjistrohen nivelin e xhiros që do të arrijnë dhe preferojnë të klasifikohen në fashën minimale. Ne kemi shumë subjekte të regjistruara në vitin 2021, që kanë preferuar të kalojnë direkt në sistemin e ri, për të shmangur kostot e blerjes së një kase fiskale”.
Sa variojnë tarifat për zgjidhjet software?
Deri tani, nga administrata tatimore dhe AKSHI janë certifikuar 30 kompani për ofrimin e zgjidhjeve software. Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, më herët pohoi për “Monitor” se parashikohet që numri i kompanive të licencuara të arrijë në 50. Prania e lartë e kompanive ofertuese, synon liberalizimin e tarifave sipas znj. Ibrahimaj. Nga nisja e fiskalizimit, deri tani, tarifat e kompanive pothuajse kanë mbetur të pandryshueshme.
Tarifat e programeve software devPOS, sipas administratorit Gjelishti, nisin nga 4,415 lekë për bizneset me xhiro nën 2 milionë lekë/vit, deri në 17,490 lekë (me TVSH) për bizneset e mëdha. “Tarifat për zgjedhjen tonë software janë të ndara në disa paketa, sipas xhiros dhe tipologjisë së bizneseve.
Kemi menduar këtë ndarje, si për të qenë të drejtë kundrejt bizneseve, në mënyrë që të mos paguajë njësoj një kioskë e vogël në një lagje periferike, me një market të madh në një qendër tregtare, por edhe sepse sistemi ynë është konceptuar si një zgjidhje e hostuar në cloud, ku ai që kryen më shumë veprime, konsumon më shumë burime dhe për rrjedhojë, ka kosto më të lartë. Për ndërlidhjen e programeve të kontabilitetit me zgjedhjen tonë software, brenda pak ditësh ne do të kemi gati sinkronizimin automatik me programin “Alpha Web”.
Shërbimi i ndërlidhjes së programit nuk do të ketë pagesë shtesë nga ana jonë. Po ashtu, ne ofrojmë mundësinë që zgjidhja jonë e fiskalizimit të integrohet me programet ekzistuese (ERP) të subjekteve dhe kjo na ka bërë të jemi zgjedhje e jo pak bizneseve shumë të mëdha, të cilat duan të vazhdojnë të shesin duke përdorur programet e tyre të personalizuara dhe automatikisht të bëjnë fiskalizimin nëpërmjet tyre, duke përdorur zgjidhjen tonë.
Tarifat e zgjedhjeve software për biznesin me xhiro deri në 2 milionë lekë, janë rreth 4,400 lekë në vit (ku përfshihet abonimi, trajnimi dhe suporti). Për të evituar kostot e blerjes së kompjuterit, zgjidhja jonë software mund të instalohet edhe në aparat celular (që mund të gjenden lehtësisht me çmim që nuk i kalon 100 euro). Gjithashtu, ne ofrojmë për klientët tanë që nuk duan apo nuk mundën të kenë një linjë fizike interneti, karta SIM me komunikim 3G/4G me serverët tanë, për vetëm 1,500 lekë në vit.
Gjithashtu, për të ofruar një zgjidhje të plotë për klientët, ofrojmë për ta printer me bluetooth (me bateri) me kosto vetëm 5 mijë lekë. Alternativat për të zgjedhur biznesin janë të shumta. Edhe në rast se një biznes nuk zotëron një kompjuter, duke blerë një aparat celular që kushton 100 euro dhe një printer me bluetooth, kostoja është më e ulët se blerja e një kase të re fiskale”. Sipas tij, për rastet e subjekteve që brenda 1 NIPT-i kanë disa pika shitjeje, tarifa për pikat e tjera ofrohet me gjysmën e çmimit të pikës së parë. “Në krahasim me kasat, që kushtojnë njësoj për çdo pikë shitjeje, kostoja me zgjidhjen tonë është më e reduktuar”.
Çmimet e programeve software I-cash, sipas drejtoreshës ekonomike, znj. Myrvete Pazaj, variojnë nga 60 deri në 260 euro, sipas funksionalitetit që kërkon biznesi. “Çmimi më i lartë i programit është për bizneset prodhuese, pasi është i përfshirë edhe menaxhimi i prodhimit. Programi I-cash është pa limit faturash, klientësh, përdoruesish dhe mund të aksesohet nga disa kompjuterë për një llogari.
Nëse një kompani zotëron disa pika shitje me NIPT-e sekondare, janë njësi të ndryshme biznese. Për secilin nga këto duhet të përdoren programe më vete, por që ndërvepron me programin kryesor. Tarifat në këtë rast janë më të ulëta, duke qenë se janë pika sekondare. Për çdo post që shton tarifa, është 50 euro.”
Çmimet për zgjidhet software nuk kanë ndryshuar që nga nisja e procesit tarifat janë 14,400 lekë/vit. Tarifat për azhurnimin e programit të kontabilitetit Financë-5 nisin, sipas zv.administratorit të kompanisë “Infosoft Software Developer”, z. Genti Qiriazi, nisin nga 32,000 lekë./monitor/