Nga Alexandra Prokopenko “Carnegie Endowment”
Nëntë muaj pas pushtimit rus të Ukrainës, ekonomia ruse po ecën më mirë se sa pritej. Kolapsi i parashikuar është shmangur, dhe rënia e parashikuar prej 8-10 për qind e PBB-së për vitin 2022 është reduktuar në një rënie prej vetëm 3-4 për qind. Megjithatë, para luftës ishte parashikuar një rritje prej 3 për qind.
Rimëkëmbja pritet të fillojë vetëm në vitin 2024 në rastin më të mirë, por vetëm nëse faktorët e jashtëm nuk do të përkeqësohen ndjeshëm. Duket se ky vend do të përjetojë një dekadë tjetër të shpërdoruar, ku do të dominojë stanjacioni i pasuar nga një dekadë regresioni.
Qeveria ruse dhe Banka Qendrore e kanë amortizuar disi goditjen ekonomike nga lufta kundër Ukrainës dhe sanksionet që e pasuan atë, kryesisht përmes politikave konservatore fiskale të viteve të fundit, si balancimi i vazhdueshëm i buxhetit me çmimin e naftës prej 45 dollarë për fuçi, dhe mbajtjes në nivele të ulëta të shpenzimeve, edhe me koston e zvogëlimit të rritjes ekonomike.
Përveç kësaj, që para luftës ishin bërë përgatitje për sanksionet. Kompanitë shtetërore dhe bankat e mëdha kishin kryer disa teste stresi, duke përfshirë skenarët në të cilët Rusia ishte e shkëputur nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SËIFT, kur Perëndimi e ndalonte furnizimin me teknologji të caktuara, dhe kur ishin të bllokuara llogaritë korrespondente, edhe pse në këto teste nuk u përfshinë skenarë të tjerë, si ngrirja e rezervave të arit dhe valutës.
Për shkak të një hezitimi tradicional për të raportuar problemet, raportet e dorëzuara tek autoritetet ruse ishin që të gjitha mjaft optimiste. Sanksioni më serioz që pritej ishte një embargo ndaj pajisjeve të teknologjisë së lartë dhe mikroçipeve: diçka që nuk do të kishte një efekt të menjëhershëm në shumicën e sektorëve.
Falë këtyre përgatitjeve, efekti i sanksioneve rezultoi më i dobët nga sa ishte parashikuar në periudhën afatshkurtër, por edhe më i zgjatur. Buxheti, i mbështetur në muajt e parë nga të ardhurat nga nafta dhe gazi, ka nisur që të tkurret. Të ardhurat nga nafta dhe gazi ranë me 20 për qind në tetor, dhe pothuajse e gjithë rritja e të ardhurave nga nafta dhe gazi erdhi nga rritja e taksës së nxjerrjes ndaj kompanisë Gazprom.
Rënia e prodhimit industrial në dhjetëmujorin e parë të këtij viti rezultoi relativisht e vogël me 0.1 për qind. Por kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të rritjes së shpenzimeve ushtarake, të cilat garantuan rritje në sektorë të tillë si veshjet dhe produktet metalike (duke përfshirë tanket dhe raketat), duke fshehur rënien në sektorët civilë, si prodhimi i automobilave (që gati u përgjysmua), përpunimi i drurit, dhe makineritë.
Recesioni ka të ngjarë të vazhdojë sepse industria ruse – madje edhe sektori ushtarak – është shumë i varur nga importi i mallrave të teknologjisë së lartë, kryesisht nga Perëndimi. Edhe importet e teknologjisë nga të gjitha vendet kanë rënë, me përjashtim të Turqisë.
Një kolaps i këtyre importeve do të reduktojë prodhimin dhe do ta bëjë atë më primitiv, një proces që tashmë është duke ndodhur. Tani kërkohet zëvendësimi i importit në thuajse të gjithë sektorët, por si rezultat i sanksioneve ai është regresiv, ku pjesët e konsumuara po zëvendësohen me opsione më pak të avancuara.
Largimi vullnetar i shumë kompanive perëndimore, dhe ndërprerja totale e tregtisë me Evropën në mallrat e energjisë, së bashku me mungesën e alternativave ekuivalente, do të vazhdojnë ta mbajnë prapa ekonominë ruse. Po ashtu ajo mund të mbështetet shumë pak nga brenda vendit.
Në mesin e një atmosfere pasigurie, investimet rrezikojnë të bien. Biznesi privat tashmë po i kufizon investimet për shkak të klimës së pafavorshme të biznesit. Ndërsa tani lufta në Ukrainë dhe sanksionet i kanë zhdukur plotësisht ato. Edhe biznesi më pro-shtetëror nuk do të investojë në një vend në luftë, ku kompania mund të detyrohet në çdo kohë të kontribuojë në përpjekjet e luftës përmes taksave të reja apo edhe drejtpërdrejt.
Problematike janë edhe investimet e mëdha shtetërore. Duk parë buxhetin 3-vjeçar të miratuar, prioritet i qeverisë është padyshim financimi i luftës. Fushat kryesore të shpenzimeve të buxhetit janë sektorët e sigurisë, të cilët do të përbëjnë pothuajse 1/3 e të gjitha shpenzimeve (9.3 trilion rubla) në vitin 2023.
Ndërkohë shpenzimet për ekonominë, po reduktohen nga 4.5 trilion rubla në vitin 2022 në 3.5 trilionë vitin që vjen. Pra qeveria nuk mund të ketë investimet si një nga prioritetet e saj: ajo është e fokusuar tek nevojat e ushtrisë. 300.000 njerëz të moshës nga 22-50 vjeç janë tashmë të mobilizuar, duke e ulur PBB-në me 0.5 për qind, dhe në proces mund të jenë mobilizime të tjera.
Është më e vështirë të llogariten humbjet afatgjata nga numri i madh i njerëzve që janë larguar nga Rusia që nga fillimi i luftës, një shifër që vlerësohet nga 500.000 deri në 1 milionë. Mungesa e personelit të kualifikuar që sjell emigrimin e më të arsimuarve do të ushtrojë presion mbi tregun e punës, duke i rritur pagat më shpejt sesa produktiviteti dhe duke çuar në rreziqe inflacioniste.
Ndërkohë, infrastruktura që i shërbente tregtisë me Evropën, qëndron e papunë si pasojë e sanksioneve. Furnizimi me mallra të pa sanksionuara, madje edhe për shtetet mike, po pengohet nga refuzimi i kompanive ndërkombëtare të transportit me kontejnerë për të punuar me Rusinë.
Problemet lindin jo vetëm me dorëzimin e mallrave, por edhe me pagesën për to. Transaksionet në euro dhe dollarë mund të bllokohen ose mund të zgjasin shumë. Edhe në “vendet mike”, bankat refuzojnë të hapin llogari për kompanitë ruse dhe llogari korrespondente për bankat ruse.
Po ashtu, Rusia gjendet nën presion për të bërë kompromise, dhe për të ofruar ulje çmimi për produktet e saj ndaj atyre që janë ende të gatshëm që t’i blejnë ato. Tani për tani, Rusia ka nevojë për ato tregje më shumë se sa ato për Rusinë.
Një kthim prapa në tregun vendas mund të sigurojë vetëm mbështetje të pjesshme për prodhimin: ai është tepër i vogël. Shteti nuk ka mundur ta ndihmojë biznesin me zgjidhje sistematike, por ka marrë vetëm disa masa specifike, si lejimi i pagesave me para në dorë për operacionet e tregtisë së jashtme për të shmangur përdorimin e dollarëve dhe eurove.
Kompanitë ruse po gjejnë mënyrat e tyre për t’iu përshtatur kushteve të reja. Në rast se qeveria vazhdon t’i rezistojë tundimit për t’iu bindur një plani shtetëror me kufizime të forta se kush i furnizon me çfarë, është e sigurt se ekonomia ruse do të mbijetojë dhe periudha e përshtatjes do të përfundojë rreth shtatorit të vitit 2023.
Potenciali i ekonomisë ruse nuk ishte shumë i madh as para luftës, me një rritje prej vetëm 2-3 për qind në vit. Lufta kundër Ukrainës dhe kufizimet e jashtme e kanë reduktuar atë në rreth 1 për qind. Tani për tani, ekonomia do të ecë në drejtimin e kundërt dhe do të duhen 3-5 vjet që të ndalet rënia.
Qeveria dhe presidenti Vladimir Putin përsërisin vazhdimisht se Rusia ka tashmë gjithçka që i nevojitet për zhvillim. Por një kalim drejt rritjes ekonomike bazuar në burimet e brendshme do të kërkonte përfundimin e luftës në Ukrainë. Po ashtu do të kishte nevojë për më pak paparashikueshmëri në përgjithësi, rritje të konkurrencës, dekriminalizimin e shkeljeve ekonomike dhe një mbrojtje efektive për të drejtat e pronës. Autoritetet dhe presidenti rus kanë dështuar vazhdimisht në sigurimin e këtyre kushteve.
/abcnews.al