Vjosa Osmani të shtunën e përfundon mandatin pesëvjeçar si presidente.
Ajo do t’ia dorëzojë sot detyrën, kryeparlamentares Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur zyra e Presidencës për media në një komunikatë të premten në mbrëmje.Sipas njoftimit, ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës do të mbahet në kabinetin e Presidencës në orën 16:00.
Kryeparlamentarja Haxhiu do të jetë ushtruese e detyrës së presidentes, pasi Kuvendi ende nuk ka zgjedhur presidentin e ri. Ajo maksimalisht mund ta mbajë këtë post për 6 muaj.
Kuvendi ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri. Afati u caktua nga Gjykata Kushtetuese me një vendim të javës së shkuar, duke e shpallur të pavlefshëm një dekret të Osmanit për të shpërndarë Kuvendin. Osmani pati nxjerrë dekretin me arsyetimin se Kuvendi ka pasur afat deri më 5 mars për ta zgjedhur presidentin – një muaj para fundit të mandatit të saj.


