Kosovë, Veseli: Ministrin e Brendshëm do e shkarkoja për 2 minuta

schedule12:43 - 1 Prill, 2018

schedule 12:43 - 1 Prill, 2018

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli tha se do të shkarkonte ministrin e Brendshëm menjëherë për shkak të arrestimit dhe dëbimit të 6 shtetasve turq. Gjithashtu njoftoi se ngjarje të tilla nuk do të përsëriten.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe PDK-së, Kadri Veseli, ka siguruar se ngjarjet si ajo me deportimin e gjashtë shtetasve turq nuk do të përsëriten asnjëherë. Në një intervistë për “Kosovapress”, ai thotë se po të ishte ministri i Punëve të Brendshme nga radhët e partisë që drejton do ta shkarkonte menjëherë.

Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës: “Më vjen keq që nuk ka qenë zyrtar i partisë sime ministri përkatës, se e kisha shkarkuar brenda dy minutave në momentin që e kam marrë vesh, madje nuk do të guxonte të ndodhte fare ajo. Do të shkarkohet çdo kush që ka përgjegjësi, për arsye se ne nuk jemi këtu të përfaqësojmë partitë tonë politike, por jemi të përfaqësojmë vlerat e popullit tonë që janë vlera civilizuese perëndimore”.

Më tej, Veseli nënvizon se ndihet i turpëruar me mënyrën e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq dhe u kërkoi falje familjarëve të tyre. Gjithashtu kryeparlamentari foli edhe për arrestimin e Marko Gjuriç nga Policia e Kosovës të hënën që shkoi, i cili hyri pa leje në Kosovë. Veseli theksoi se ky ishte veprim i drejtë nga ana e autoriteteve. Sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, Veseli njoftoi se do të formohet, por vetëm në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës./abcnews.al