Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara në Beograd dhe Prishtinë kanë bashkuar zërat në një apel drejtuar qeverive të dy vendeve, duke u bërë thirrje që të kthehen në tryezën e dialogut. Diplomatët amerikanë kanë nënvizuar se kufijtë mes dy vendeve duhet të jenë të qartë, ndërsa kanë hedhur poshtë idenë e kryeministrit Haradinaj për një konferencë ndërkombëtare.
Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott ka deklaruar për televizionin serb TV Prva se Uashingtoni inkurajon Prishtinë dhe Beogradin që të kthehen në tavolinën e bisedimeve dhe me dialog të arrijnë te marrëveshja gjithëpërfshirëse. Një marrëveshje me kompromis të dyanshëm nuk mund të imponohet nga jashtë, ajo duhet të arrihet nga këtu dhe duhet të jetë marrëveshje afatgjate, e qëndrueshme dhe e zbatueshme dhe jo vetëm në letër. Ambasadori me këtë rast ka shtruar çështjen e demarkacionit si tepër të rëndësishme duke thënë se kufiri mes Serbisë dhe Kosovës, që për SHBA-në janë dy shtete sovrane, duhet të jetë i qartë.
“Mendoj se shprehjes demarkacion po i japim shumë rëndësi. Është e kuptueshme se kufijtë duhet të jenë të qartë dhe ky është element i marrëveshjes gjithëpërfshirëse, krahas çështjes së menaxhimit të resurseve, të drejtave të komunitetit serb, çështjeve të qarkullimit pagesor, të të zhdukurve, krimeve të luftës. Për shkak se duhet të dihet çfarë është kufiri, ku është Serbia e ku është Kosova. Nëse unë shkoj sot në një librari në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe blej hartën e Serbisë ajo në masë të madhe do të dallonte nga harta e Serbisë që do të mund ta bleja këtu në Beograd”, ka deklaruar amebasadori amerikan në Beograd.
Ndërkaq, kolegu i tij në Prishtinë, Philip Kosnett ka thënë të enjten mbrëma për KTV-në se ideja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për një konferencë ndërkombëtare nuk është e qëlluar, për shkak se, ka vlerësuar ai, kjo do të hapte shumë dyer për diskutimin e çështjeve që tashmë janë vendosur, përfshirë këtu edhe pavarësinë e Kosovës, dhe do të mund të përfshinte edhe palë tjera, që vetëm se do ta ndërlikonin punën:
“Vazhdimisht e kemi thënë: nuk po përpiqemi që ta shkruajmë skenarin e bisedimeve. Mendojmë se është me rëndësi që Kosova dhe Serbia të hyjnë në negociata me mendje të hapur, që të jenë në gjendje për të gjetur zgjidhje kreative pa kufizime se për çka mund të flasin. E dini, nëse Uashingtoni dhe Brukseli kanë listë të temave për të cilat negociatorët e Kosovës dhe të Serbisë nuk mund të flasin, mendoj se kjo do t’ua bënte punën shumë të vështirë. Si negociator që jam, dëshiroj që të kem mundësinë për të diskutuar për një varg gjërash me njerëzit përballë. E siç e kam thënë edhe më përpara, ne do ta shohim çfarë marrëveshjeje mund të arrijnë qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë që është e pranueshme për popujt e tyre dhe pastaj do ta shohim cili do të jetë reagimi ynë, por në të vërtetë ne duam që të nxisim bisedë për një varg gjërash”, ka thënë Kosnett
Ambasadori amerikan në Prishtinë, në intervistën dhënë KTV-së është shpehur se qeveria e tij beson se 2019-a është viti kur mund të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë. /abcnews.al