Kosovë/ QUINT kërkon pezullimin e zbatimit të vendimit të BQK-së për dinarin

schedule15:08 - 28 Janar, 2024

schedule 15:08 - 28 Janar, 2024

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it kanë kërkuar që Kosova të pezullojë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh se monedha e vetme në Kosovë për pagesa të jetë euro.

Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e QUINT-it thanë se pezullimi i vendimit do të duhej të bëhej për të “mundësuar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik”.

“Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, u tha në deklaratë, shkruan REL.

Ambasadorët e QUINT-it thanë se rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme, që pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt, synon të reduktojë paratë e falsifikuara dhe të ruajë stabilitetin financiar, por po ashtu “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia”, u tha në deklaratën e ambasadorëve të QUINT-it.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!