Kosovë/ Policia në protestë, kërkon rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës

schedule16:01 - 15 Gusht, 2023

schedule 16:01 - 15 Gusht, 2023

Policia e Kosovës po proteston. Konkretisht Flota Operative dhe punëtorët e Departamentit Mbështetës Operativ po shprehin pakënaqësinë e tyre në lidhje me pagat e ofruara nga qeveria, përkatësisht për mosrregullimin e vlerës së koeficienteve sipas pozitave të tyre.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri theksoi se kjo protestë do të ndikojë në punën e policisë  sipas të cilit nuk mund të funksionojnë pa këto dy grupe. Protestës i janë bashkuar 100 punonjës të uniformave blu.

Zeqiri tha se Ministria e Punëve të Brendshme ka tre muaj prej kur ka premtuar se do të rregullojë vlerën e koeficientit për të njëjtit punëtorë, por që, siç tha ai, ende nuk ka asgjë në këtë drejtim.

Ai shtoi se me Ligjin e punës, zyrtarët policorë nuk kanë të drejtë të hyjnë në grevë.

Edhe pse Qeveria e Kosovës tha se, përmes Ligjit të ri për pagat në sektorin publik, rriti pagat e oficerëve, nga Policia e Kosovës pretendojnë se me këtë ligj jo vetëm që nuk janë rritur por  për disa pjesëtarë madje parashihet edhe ulja e pagave.

Më 1 shkurt, qeveria  njoftoi se vlera e koeficientit të pagave do të jetë 105 euro, teksa nivelet janë të ndarë nga 2 deri në 18.

Policia e Kosovës numëron një staf prej afër 10 mijë personash. Koeficientin më të lartë e ka drejtori i Përgjithshëm, me koeficient, qe konvertohet në  rreth 1500 euro,  kurse më të ulëtin e kanë kadetët policorë, 2, që konvertohet me 210 euro./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!