Kosovë, më pak lindje përgjatë viteve të fundit

schedule15:18 - 11 Maj, 2023

schedule 15:18 - 11 Maj, 2023

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe Programi për Popullsi dhe Zhvillim (UNFPA) kanë mbajtur diskutim me temën “Ulja e fertilitetit në Kosovë: Çfarë po ndodh dhe çfarë mundemi të bëjmë?.

Në këtë diskutim ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, mjekë dhe profesionistë të fushës, u theksua se në Kosovë vitet e fundit është shënuar rënie e lindjeve. Kryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha tha se rënia e lindjeve në Kosovë lidhet edhe me migrimin e popullsisë.

“Statistikat tona na tregojnë se kemi rënie të lindjeve në Kosovë, kjo lidhet me fertilitetin dhe migrimin. Ne besojmë që do të dalim më të pajisur për këtë dukuri nga ky diskutim. Kjo dukuri është prezente në gjithë rajonin dhe më gjerë, por, vendet e rajonit kanë marrë hapa me kohë”, tha Berisha.

Udhëheqësja e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, Visare Mujko Nimani tha se për këtë çështje do të duhet që të ketë ndryshime politikash nga institucionet shtetërore e private.

“Brenga e të gjithëve është se çfarë do të ndodh në të ardhmen sepse popullsia tani po zvogëlohet. Orientimi është se çfarë po bëjnë shtetet tjera që janë prekur, çfarë masash duhet të merren dhe cilat nga to kanë pasur sukses. Shtete që janë ballafaquar me këtë problematikë kanë bërë ndryshime në politika si në edukim, pushimin e lehonisë, pushimin prindëror”, tha Mujko Nimani.

Ajo tha se me liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, do të rritet rreziku për uljen e mëtutjeshme të numrit të popullsisë në vend.

Sevdie Spahiu, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se problem sot është mosedukimi i të rinjve mbi shëndetin seksual dhe riprodhues. Sipas saj, në natalitet Kosova ka qenë tipi progresiv, por, tani është tipi stacionar.

“Në vitin 2000 trendi i natalitetit ka qenë 90.2 promil, kurse në vitin 2021 e kemi 12.9 promil. Faktorët e rënies së lindshmërisë u cekën deri më tani, mirëpo, lindshmëria apo nataliteti varet nga shumë faktorë multidisiplinarë, prandaj edhe intervenimi kërkon qasje multidisiplinare jo vetëm strikt në shtimin e lindshmërisë”, tha ajo.

Avni Kastrati nga ASK tha se norma e fertilitetit në Kosovë nga të dhënat e fundit është 1.7, ndërsa për të qenë popullsia në rritje do të duhej të ishte 2.1.

“Tek kualiteti i të dhënave edhe ne si institucion kemi sfida. Po të kishim të dhëna të mira nuk do të kishim nevojë për regjistrim të popullsisë. Në Kosovë ka rënie të popullsisë nga viti 1999. Lindjet në vitin 1986 kanë qenë 56.283 lindje ndërsa në vitin 2019 janë 25.794 lindje”, theksoi Kastrati.

Profesoresha universitare, Mimoza Dushi tha se në vitet e mëhershme, Kosova ka pasur numrin më të madh të lindjeve krahasuar me vendet e rajonit, por, sipas të dhënave, shkalla e lindshmërisë në Kosovë ka shënuar rënie, duke shtuar se “shkaktari kryesor i zvogëlimit të numrit të popullsisë është migrimi, jo lindshmëria”.

Disa nga rekomandimet e dala nga ky diskutim lidhur me ndryshimin e politikave të fertilitetit në Kosovë, ishin që të stimulohet rritja ekonomike, të sigurohen vende pune dhe të ardhura të qëndrueshme, të ofrohen qasje në banim të përballueshëm për familjet, orare fleksibile të punës, duke përfshirë punën me orar të shkurtuar, të ketë lehtësira tatimore dhe përkrahje të tjera financiare për familjet, veçanërisht ato me të ardhura të pakta ose pa të ardhura.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!