Filip Kosnet ka nisur të hënën zyrtarisht detyrën si ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Kosnet i dorëzoi letrat kredenciale presidentit Hashim Thaçi, në një takim gjatë të cilit të dy ata vlerësuan partneritetin mes Uashingtonit dhe Prishtinës.
“Partneriteti ynë nuk ka krahasim askund në botë. Nuk ka dy shtete të cilat janë mike më të ngushta se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova”, deklaroi Kosnet.
Në të njëjtat linja, Thaçi nënvizoi se Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me Amerikën edhe në atë që e ka quajtur “kapitullin e tretë”, që vjen pas lirisë dhe shpalljes së pavarësisë e që është anëtarësimi në NATO.
Kosnet zhvilloi edhe një takim me kryeministrin Ramush Haradinaj, ku sërish vlerësoi miqësinë dypalëshe dhe e quajti privilegj kthimin në Kosovë. Nga ana e tij Haradinaj e njohu diplomatin amerikan me zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në Kosovë, si dhe premtoi një bashkëpunim të sinqertë.
Filip Kosnet nuk e ka për herë të parë eksperiencën në Kosovë. Ai ka punuar në shtetin e vogël ballkanas 15 vjet më parë, si funksionar i ambasadës amerikane./abcnews.al