Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se zgjedhja e Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb në legjislaturën e kaluar, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Në njoftimin për aktgjykimin, Gjykata tha më 28 janar se ky “në rrethanat e rastit konkret nuk ka efekt prapaveprues”.
Pra, kjo do të thotë se ky vendim nuk vlen edhe për rastet para hyrjes në fuqi, por për ato që do të merren në të ardhmen.
Rashiq u zgjodh në tetorin e vitit të kaluar, pasi të propozuarit nga Lista Serbe – që kishte nëntë deputetë – nuk morën votat e nevojshme, dhe u organizua shorti.
Kushtetuesja tha se drejta për të propozuar nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb i takon shumicës së deputetëve të këtij minoritet.
“Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rashiq në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë”, u tha në aktgjykimin e Kushtetueses.
Organi më i lartë i drejtësisë në Kosovë tha se mekanizmat zhbllokues, sikurse hedhja vetëm deri në tri herë në votim e një emri dhe procedura e shortit, “duhet të vijnë në shprehje vetëm në rrethana përjashtimore dhe për qëllimin për të cilin ato janë përcaktuar, përkatësisht në funksion të konstituimit të Kuvendit”, në mënyrë që brenda afatit 30-ditor të konstituohet organi ligjvënës.
“Siç është elaboruar në aktgjykim, zbatimi i këtyre mekanizmave në një mënyrë që do t’i mundësonte shumicës së deputetëve të Kuvendit të përcaktojë përfaqësuesin e një komuniteti që nuk është shumicë, pa propozimin e deputetëve të atij komuniteti, në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive formale të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit. Kjo për arsye se, propozimi i kandidatëve për nënkryetarë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë është e drejtë e shumicës së deputetëve të atyre komuniteteve”, u tha në vendim.


