Shtetet e Bashkuara e dënuan sulmin e së premtes në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës.
Në një deklaratë të publikuar nga ambasadori amerikan Jeff Hovenier, thuhet se Shtetet e Bashkuara e dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit “në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ne jemi duke e ndjekur situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”.
Shpërthimi në kanalin furnizues ndodhi pak kohë pas njoftimeve se policia e Kosovës shtoi masat e sigurisë për shkak të disa shpërthimeve që ndodhën gjatë javës në veriun e banuar me shumicë serbe.