Kosovë, grevë në aeroportin e Prishtinës

schedule21:57 - 21 Gusht, 2019

schedule 21:57 - 21 Gusht, 2019

Punonjësit e aeroportit të Prishtinës kanë vijuar edhe të mërkurën grevën e tyre disa orëshe. Ata kanë kërkuar plotësimin e 5 kërkesave, që kanë të bëjnë kryesisht me pagat e tyre, për t’iu rikthyer punës. Ndërkohë, zëdhënësja e aeroportit ka deklaruar se greva nuk ka ndikuar tek fluturimet.

Ka vazhduar edhe sot greva e punëtorëve të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës. Punëtorët, të cilët kanë protestuar për rreth 6 orë radhazi, nuk do të ndalen derisa të plotësohen pesë kërkesat që kanë paraqitur.

“Injorimi i tyre ka vazhduar deri ditën e sotme. Me përjashtim të para dy ditëve është tentuar sipas fjalëve të menaxherëve, jemi ulë me biseduar dhe kërkesat tona me i diskutuar kanë thënë se nuk kanë autorizuar askënd të nënshkruajnë dhe nuk kanë obligim ta zbatojnë, ujë, çaj sa të doni keni dhe aty ka marrë fund gjithçka”.

Ndërsa zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara ka thënë se edhe përkundër grevës së punëtorëve nuk ka pasur asnjë vonesë në linjat e fluturimeve.

“Ne kemi pas të paralajmëruar grevën për sot, duke pasur parasysh që dje kemi pas pengesa në shtyrjen e punës e nga punonjës që nuk kanë qenë pjesë të grevës, sot janë paraparë të merren masa shtesë që janë ndërmarrë nga autoritetet relevante”.

Punëtorët e aeroportit kanë thënë se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre. Ata kërkojnë: të paguhet rrezikshmëria në vendin e punës sipas ligjeve të punës në Kosovë, të bëhet nivelizimi i pagave, të paguhet përvoja e punës, të paguhen orët e punës gjatë fundjavës dhe të paguhet një shujtë ditore./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!